Dueli: Trump VS Kim Jong Un

Donald Trumpi paralajmëroi këtë javë se është i gatshëm të përballet me rrezikun bërthamor që paraqet Korea e Veriut, me apo pa ndihmën e Kinës.
Duke shtuar frikërat për një konflikt të armatosur, presidenti i SHBA, në një intervistë me Financial Times, tha se, nëse Kina – aleati i vetëm rajonal i Koresë së Veriut – nuk ishte e gatshme të përdorte ndikimin e saj “për të zgjidhur problemin e Koresë së Veriut, atëherë do ta bëjmë ne”.

Komentet e Trumpit pasojnë një përshkallëzim të programit bërthamor të Kim Jong Un, si dhe pretendimet që Korea e Veriut, shumë shpejt mund të ketë raketa balistike, në gjendje që të godasin shënjestra në tokë amerikane.

Korea e Veriut ka zënë një vend qendror në agjendën e bisedimeve mes Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara, për shkak të mosmarrëveshjeve të forta mbi politikën tregtare, dhe Trumpi tha se negociatat mund të rezultojnë “shumë të vështira”.

Uashingtoni i ka dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë Koresë së Veriut, shkruante The Times. Ose udhëheqësi i saj të bjerë dakord të sprapset me programin e vet bërthamor, ose e gjithë e ardhmja e regjimit të Kimit mund të jetë në lojë. Por çdo lloj ndërhyrjeje ushtarake do të ishte me shumë risk, shkruante FInancial Times. Edhe nëse SHBA do ia dilte të eleminonte të gjithë kapacitetin bërthamor të Koresë së Veriut, me raketa që shpërthejnë edhe bunkerë – gjë që nuk ka gjasa, pasi disa prej armëve janë tashmë në lëshues të lëvizshëm raketash – Kimi sërish mund të përdorte artilerinë e tij për të shkatërruar Korenë e Jugut. Për më tepër, edhe Japonia është tashmë brenda rrezes së raketave të Koresë së Veriut: nëse SHBA sulmon, “miliona jetë do të ishin në rrezik”.

Për këtë arsye, përgjigja më e mirë mund të jenë bisedimet e drejtpërdrejta me Korenë e Veriut, shkruante The Guardian. Nuk ka dyshim që Trumpi do të preferonte një fitore të qartë, që do ta bënte të dukej i fortë, dhe këshilltarët e tij kanë hedhur poshtë shanset për një takim. Por gjatë fushatës së tij, presidenti sugjeroi se do të ishte i gatshëm “të ulej për të ngrënë një hamburger” me Kimin, nëse do të kish shanse për një zgjidhje. Ky mund të jetë momenti.

Çfarë shkruajtën komentatorët?

Kur administrata Obama në largim informoi ekipin e Trump, ajo e përshkroi rrezikun bërthamor nga Korea e Veriut “si prioritetin krysor të sigurisë kombëtare të Amerikës”, shkruante Tom Goodenough në blogun e tij në Spectator. Dhe të paktën një herë, Trumpi duket se bie dakord me vlerësimin e paraardhësit të tij. Ai ka paralajmëruar se rreziku koreano verior “ka hyrë në jnë fazë të re”, dhe nxitoi për një rishikim të politikës së SHBA, përpara takimit me presidentin e Kinës, Xi Jinping. Jo se duhet të presë shumë ndihmë nga Pekini, shkruante Roger Cohen në Nju Jork Tajms. Kinezët shfaqin shumë pak entuziasëm për të përdorur hapësirën e tyre të manovrimit si furnizuesi kryesor me ushqime, armë dhe energji i Koresë së Veriut, për të rrëzuar dinastinë e Kimit: e fundit gjë që dëshiron Pekini, është lindja e një Koreje të bashkuar të mbështetur nga amerikanët, tek porta e tij. Në fakt, ndoshta duhet ta harrojmë fare idenë e “denuklearizimit” të Fenianit, si një objektiv afatgjatë. Shpresa jonë tani duhet të jetë një frenim i regjimit të Kimit.

Rreziku është se Trumpi po përgatitet për një luftë, shkruante Freddy Gray në The Sun. I mundur në përpjekjen e tij për të shfuqizuar Obamacare, ai ka nevojë për një sukses të qartë, me qëllim që të rrisë mbështetjen, e cila sot është nën 40%; “tmerrësisht e ulët” për një president të ri. Kundërvënia ndaj Koresë së Veriut i ofron shansin “për të luftuar një prej të këqinjve, Kimin, i cili e bën Sadamin të duket si një fitues i Çmimit Nobel”.

Por lufta e fjalëve mund të përfundojë në një konflikt të vërtetë, shkruante Max Hastings në Daily Mail. Supozoni që Kina refuzon të bëjë presion Koresë së Veriut për t’u çarmatosur dhe më pas refuzon ultimatumin e Amerikës. Gjakderdhja që mund të rezultojë, mund të shohë jo vetëm pushtimin e Koresë së Jugut me një ushtri prej 1.2 milionë ushtarësh, por gjithashtu edhe një sulm të Kinës ndaj Flotës amerikane në Paqësor. Kimi dhe Trumpi janë të dy të frikshëm. “Ata e meritojnë njëri tjetrin. Por kjo nuk na rehaton aspak, nëse të dy nisin të shkëmbejnë raketa”.

Çfarë do të ndodhë?

Uashingtoni kërkon sanksione të forta, për ta shkëputur Korenë e Veriut fare nga sistemi financiar global. Po konsideron gjitihashtu edhe rritje të trysnisë mbi bankat dhe firmat kineze, që bëjnë biznes me Fenianin. Sekretari i Shtetit i SHBA, Rex Tillerson do të drejtojë një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në fund të këtij muaji, për të diskutuar mbi masat e mëtejshme.

Ndërkohë që OKB po rishikon një raport të botuar në fillim të këtij viti, i cili konkludonte se Korea e Veriut kishte shkelur sanksionet ekzistuese të OKB, ndonjëherë me ndihmë të kinezëve. /The Week – bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button