Djali i Enver Hoxhës: Babai kishte një plan lufte me Jugosllavinë për Kosovën

Ilir Hoxha përmbyll rrëfimin e tij të gjatë për gazetën Dita, duke folur për marrëdhëniet e babait të tij, Enver Hoxhës, me Kosovën.

“Preokupimi i tij për Kosovën ka qenë në vazhdimësi me intensitet të lartë. Ai la postin e lartë shtetëror të kryeministrit dhe mbajti vetëm postin si Sekretar i Parë i KQ të PPSH, që të kishte “dorë të lirë” për të zhvilluar luftën ideologjike me titizmin, si i vetmi mjet i mundshëm që ai mund të përdorte për mbrojtjen e vëllezërve tanë që ishin në Kosovë dhe në të gjitha trojet e Jugosllavisë, pa cenuar marrëdhëniet shtetërore,” thotë Hoxha.

Sipas tij, Enveri kishte një plan lufte me Jugosllavinë për Kosovën, prandaj nuk e njoftuan menjëherë për shpërthimin e demonstratave në Kosovë në vitin 1981.

“Enver Hoxha nuk u njoftua menjëherë për shpërthimin e demonstratave në Kosovë në vitin 1981 nga asnjë strukturë e shtetit shqiptar. Sot unë e gjykoj se kjo nuk ishte e rastësishme. Forca të caktuara ishin të interesuara ta mbanin sa më larg Enver Hoxhën nga kjo situatë, që në fakt ishte e një rëndësie shumë të madhe. Babai ato ditë ndodhej në Vlorë për pak ditë pushime, lajmin e mori, ose e detyruan ta njoftonin, pasi pedagogët e kthyer nga Kosova kishin vënë në dijeni për çka po ngjiste në Kosovë…Duke iu përgjigjur deri në fund pyetjes tuaj, pohoj që Enver Hoxha ishte i përgatitur për të gjithë situatat që mund të ndodhnin në Kosovë. Besoj iu kujtohet thënia e tij, drejtuar Beogradit: “Mos luani me zjarrin, se po filloi zjarri, do digjeni edhe vetë”. Dhe kjo është arsyeja pse donin që Enver Hoxhën ta mbanin larg nga situata shpërthyese e Kosovës”.

Sipas Hoxhës, “bashkimi me Kosovën është një proces i pashmangshëm, që do të ndodhë shumë shpejt. Këtë e ka thënë edhe Enver Hoxha, shumë vite më parë në ditarin e tij”.

Në fund të intervistës, Ilir thotë se dëshira e babait ka qenë që ata të mos merren me politikë.

“Qëllimi im është që, bashkë me Teutën dhe fëmijët, të prezantohemi sa më denjësisht si familja e Enver Hoxhës, duke mos harruar detyrën kryesore, që të mrbojmë sa më shumë të mundemi figurën e Enver Hoxhës nga shpifjet dhe akuzat që i bëhen”.

Lajme të ngjashme

Back to top button