Ish-komandanti i UÇK-së: Kosharja na jep edhe sot mesazhin e unitetit

Lufta e Koshares ka pasur një unitet dhe harmonizim të veprimeve operacionale me strukturat e NATO-s. Kështu ka thënë ish-komandanti i Koshares, Hysen Berisha në televizionin publik.

Ai tha se kjo harmoni në veprime me NATO-n dhe partnerët tanë strategjikë duhet ta përcjellë edhe sot Kosovën.

“Krahas mesazhit të unitetit të faktorit të brendshëm, edhe lufta e UÇK-së ka një unitet specifik që na përçon edhe në ditët e sotme që duhet ta kemi në konsideratë”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së, Hysen Berisha.

Ai ka thënë se ky harmonizim ekziston edhe sot, dhe uniteti që patëm në luftë duhet të na japë mesazh edhe tash në paqe.

Berisha ka thënë se ne jemi në procesin e krijimit të forcave të armatosura. Dhe, ai tha se ka pasur tendenca të prezantohet një diskrepancë mes UÇK-së dhe NATO-s.

Por, ai tha se ka pasur fatin profesional të jetë pjesë e rishikimit të projektit të Forcave të Armatosura dhe, ky projekt në nivel vendi, sipas tij, është udhëhequr dhe monitoruar nga instituti për analiza të paqes nga SHBA.

Duke rikujtuar Betejën e Koshares, Berisha tha se kjo ditë na jep emocione të veçanta sa i përket përkujtimit të dëshmorëve.

“Ngjallë dhembje, emocione dhe mbi të gjitha, ngjallë krenari sepse jo gjithkujt i është dhënë rasti të japë kontributin e vet, në formën çfarë e kemi dhënë ne në luftën e Koshares me armë në dorë”, ka thënë Berisha, sipas të cilit, satisfaksion i gjithë kësaj është realizimi i objektivit.

“Andaj, gjithë ata që kanë qenë pjesë e asaj beteje do të jenë krenarë dhe historia do t’i mbajë lart në piedestalin e saj”, ka thënë Berisha.

Ai ka rrëfyer se Luftës së Koshares i ka paraprirë një strategji e planifikuar dhe sukseset ishin rezultat i këtij planifikimi.

“Ka pasur vendim për luftë dhe urdhër dhe secili ka ditur objektivin e vet dhe lëvizjet në objektiva kanë qenë në lëvizje minimale në mënyrën e realizimit të objektivave”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button