Unë do të votoj të dielën në zgjedhjet presidenciale

Këtë të dielë janë zgjedhjet për president. Unë do të dal të votoj në këto zgjedhje dhe do ju bie vizë të katër kandidatëve. Do i rekomandoja secilit nga ju të dal të votojë këtë të dielë dhe t’ju bie gjithashtu vizë të gjithë kandidatëve, të vizatojë shqiponja ose zemra në fletën e votimit, të shkruaj ndonjë mesazh në këtë fletëvotim ose edhe të votojë për ndonjë nga kandidatët që ai e preferon.

Ne nuk kemi pse dëgjojmë sharlatanizmat e partisë në pushtet. Ata e ulën vet, pa asnjë arsye dhe pa asnjë kusht, censusin para pesë vitesh dhe e sakatuan vlerën e votës së shqiptarëve. Pesë vite më parë ata bënë thirrje dhe e votuan vet Ivanovin, ndërsa tani bëjnë thirrje të mos votohet, për shkak të po këtij Ivanovi të para pesë viteve. Ata e quajtën legjitim dhe nuk e kontestuan asnjëherë për pesë vite këtë person, me vetëm 2.000-3.000 vota shqiptarësh!
Të jeni të sigurtë se sapo të shpallen rezultatet, demagogët e kësaj partie do shurdhojnë miletin se 200.000 apo 300.000 shqiptarë ju përgjigjën thirrjes së tyre dhe e dëgjuan urdhërin e tyre. Kështu ata do manipulojnë me votat e të gjithëve: edhe me të atyre që nuk dalin në zgjedhje se janë krejt indiferent, edhe të atyre që nuk dalin në votime se nuk janë për askënd, edhe të atyre që nuk do votojnë se nuk duan të lodhen dhe të humbin kohë duke votuar edhe të gjithë të tjerëve që janë kundër kësaj partie manipulatore dhe demagogjike.

Por ka një të vërtetë të madhe që demagogët e partisë në pushtet nuk mund ta ndalojnë, ka një të vërtetë të madhe që i zhvesh lakuriq mashtrimet e kësaj partie, dhe ky është fakti se numri i atyre që nuk do ta dëgjojnë urdhërin e tyre për bojkot dhe do të dalin për të votuar këtë të dielë do të jetë shumë, shumë, shumë më i madh, se numri i vogël (2.000-3.000 persona) i atyre që e dëgjuan urdhërin e tyre dhe dolën për të votuar në zgjedhjet presidenciale të para pesë viteve.

Mos lejo mashtruesit të manipulojnë me vullnetin tënd të lirë!

Lajme të ngjashme

Back to top button