Jam shqiptar e do votoj Stevon që në rrethin e parë!

Mendoja se si për shpëtim nga rutina, ndoshta ndonjëherë duhet të shkruhet diçka ndryshe. Bile mendova se ndoshta koha më e përshtatshme për këtë do të jetë pikërisht në javën e zgjedhjeve. Mu kujtua edhe se kjo diçka ndryshe do të duhej të jetë një shkrim për vendin më shkupjan: Çarshinë. Më në fund më ti shkruaj ato disa fjalë që vazhdimisht më rrotullohen nëpër kokë çdo ditë kur gjendem në çarshi, çdo ato ditë kur ndjehem se; vërtetë jam në shtëpi, vërtetë jam vetja dhe me të vërtetë në Shkup.

Megjithatë, sikur që çarshisë nuk mundemi ti shmangemi kur flasim për Shkupin, ashtu edhe zgjedhjet nuk mund të parakalohen kur veç më shkruhen opinione javore. Duke menduar kështu e lash shkrimin për çarshinë për tjetër herë, ndërsa tani dhe këtu, të bëj me dije se vota ime në zgjedhjet presidenciale do shkon për kandidatin e opozitës, Z. Stevo Pendarovski.
Për këtë qëndrim kam shumë arsye, por këtu diku sërish më doli para Çarshia e Shkupit. U përkujtova se dy pretenduesit më të mundshëm për president të ardhshëm, personalisht i kam takuar mu aty në çarshi. Gjorgje Ivanov para disa vitesh, pasi që ishte bë president dhe me siguri si shoqërues i ndonjë mysafiri të huaj, kur ndodhej në çarshi, dhe Stevo Pendarovski, i cili hapat e para të fushatës së tij i bëri pikërisht mbi kalldrëmin e çarshisë.

KURRË MË – KOLONIAL!
Te i pari, gjatë shëtitjes nëpër çarshi, gjatë tërë kohës vërehej shqetësim dhe kishte diçka koloniale në atë qëndrim të shkurtë në këtë qendër të Shkupit, e cila për shkupjanë paraqet edhe qendër e botës. Dhe jo vetëm stil kolonial dhe hije jabanxhi, që mu nga këto njihet se është i përkohshëm dhe kalimthi, por bash si në shitoret “Kolonijall”. Sikur kur shitorja e lagjes është e mbyllur e duhet të blihen gjëra të domosdoshmet në ndonjë tjetër shitore. Shkon në atë dyqan, kryen punë, ai hesht, të gjithë heshtin, por, nga e tëra vërehet se kjo do jetë vetëm atë herë të vetme. “Kurrë më”, si do thoshin kolonialistët e këtushëm.
Erdha në përfundim se ndoshta, pikërisht nga ajo që pash tek ato dy shëtitje nëpër çarshi, do të votoj për njeriun tjetër. Për njeriun për të cilin në ditën e shëtitjes së tij dukej se në çarshi është – në vend të vetin. Mu si i ka hije një presidenti të një vendi, kur është diku, kudo qoftë, në vendin e tij.

Jam i vetëdijshëm se kjo mënyrë e shkrimit, deri në intimitet, është subjektive, por edhe vota për president është po aq intime. Madje, vota në zgjedhjet presidenciale është pikërisht ashtu – një me një me personalitetin. “Jekajek”, si i thonë në çarshi gjatë lojës me domino. Ashtu në zgjedhjet lokale ose parlamentare, shpesh, ndodhë të futet edhe diçka tjetër mes zgjedhësit dhe të zgjedhurit, por kjo hyrje ndërmjet është më e rrallë kur zgjidhet presidenti. E di se pala e cila zgjedh të vendosë ekip, parti ose shtet në anën e saj, këtë e bën që në një farë mënyre ta mbulojë papërshtatshmërinë e personalitetit të zgjedhur. Mirëpo, sa mund kjo të jetë përparësi, aq mundet të jetë edhe handikap, sepse mu në zgjedhjet presidenciale, regjimi, klika udhëheqëse i ujdiset si në penallti votuesit. Që në mënyrë më direkt të mund ti dënojë: unë, vota dhe portieri. E portieri i tyre – i dobët se i dobët, me siguri do të ik edhe nga goli ashtu si ik nga debatet!?

NUK JAM BUDALLA TË MOS VOTOJ
Në fund, për tjerët dhe për vete, me siguri duhet të sqaroj edhe se, si unë, shqiptari me tre parti dhe një kandidat, do e rrethoj numrin tre për president, që në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Së pari shpjegimi i shkurtë – “nuk jam budalla të mos votoj”, vlen për të gjithë gumëzhitësit edhe për promotorët e bojkotit. Një numër i madh i njerëzve, disa prej tyre edhe me arsye, shkaku i “Pustecëve”, SDPM-së, prezencës policore etj., gumëzhijnë por zgjedhin të mos votojnë. Por duke vepruar në këtë mënyrë ata lënë një mundësi unike që, nëse jo tjetër, pikërisht me atë një votë të tyre të anulojnë ndonjë dallavere të votës.
Shpjegimi tjetër është për njërën nga dy partitë e “mia”, e cila zgjodhi bojkotin e paqartë me sebep të konsensualitetit të paqartë. Lexuesit ndoshta e mbajnë mend se unë isha një nga të rrallët që e mbështeti idenë për president konsensual. Por, konsensualiteti nuk mbin si bari dhe duhej të bëhet ndryshe.

Kështu që, tani as unë e as votuesit nuk i kanë borxh bojkot BDI-së, që ajo me këtë të nxirret nga bojkoti i idesë tyre, e të cilën ua bëri ortaku i tyre në pushtet: DPMNE-ja. Atë që partia e lidhi, partia le ta zgjidhë, këtu qytetarëve ju ka ardhur në kut. Ali Ahmeti nuk duhet të ushtrojë shtypje ndaj votuesve që të mos votojnë në zgjedhjen e tyre për president. Bile, bile nëse BDI bën shtypje në rrethin e parë për të tillë diçka, do harxhon nga hatri i vet për në rrethin e dytë, për parlamentaret, atëherë kur mu vota për ta do jetë gjithçka.

Shpjegimi i tretë është për partinë “time” të dytë: PDSH. President Shqiptar, Maqedonia do të ketë shpejtë, por ajo nuk bëhet në këtë mënyrë, me pishman dhe futje në garë pas “Sushiko” ose me “Interpromet” hesape. Dhe jo me kësi tipi lokal, nga ata që në shumë deklarata kanë shfaqur se as që nuk duan të dinë se ku është qendra e vërtetë. As e Shkupit, as e Tetovës, e as e ndonjë qyteti ose fshati tjetër në Maqedoni. President i Maqedonisë do të jetë ai që e njeh të tërën, e jo dikush që ia lejon vetes që në mes të zgjedhjeve të përjashton edhe një fitimtar siç është Zijadin Sela.

Për këtë shkak, të gjithëve drejtpërdrejtë dhe shkurtë u them: “nuk jam budalla të mos votoj”, dhe “faleminderit, kësmet herën tjetër”, tani Stevo Pendarovski është kandidati im i zgjedhur.

Opinioni javor në “Fokus” dhe “Lajm”

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button