Një përkthim dhe interpretim me përkushtim i “Këngës së këngëve”

Veprat të cilat lexohen me përkushtim dhe shumë dashuri nuk janë të rralla, ndërsa ato që paraqesin pellgun më të thellë të dashurisë ndaj njeriut dhe jetës, nuk janë të shpeshta. Sidomos nuk janë të shpeshta veprat poetike të cilat me çdo pjesë të tyre japin mesazhet më të bukura të dashurisë përmes artit të fjalës së shkruar. Jo vetëm njohja dhe përkushtimi tërësisht intelektual dhe studiues, por në radhë të parë guximi krijues i prof. dr. Anton Nikë Berisha na sjell studimin Kënga e këngëve- një kryevepër poetike e dashurisë dhe jetës, të botuar nga shtëpia botues “Faik Konica” e Prishtinës (2015). S’do mend se për t’iu qasur dhe për ta përmbushur një punë të këtillë studiuese është e domosdoshme një njohuri e gjerë jo vetëm e punës kërkimore dhe e perceptimit intelektual, por, njëkohësisht, edhe dashuri e madhe ndaj këtij mesazhi të ndritur të dashurisë si komunikim më i shenjtë me njeriun.

Ajo që e veçon këtë studim dhe që lexuesit në shqip i ofron kënaqësi të pafund është interpretimi i Këngës së këngëve nga autori dhe përkthimi që ai e bëri duke u bazuar në shtatë përkthime në italisht, të gjitha të bëra nga origjinali hebraik. Përkushtimin me dashuri të Berishës në shqipërimin e kësaj vepre e dëshmon frika e tij e shprehur se edhe përkundër dëshirës që tekstin e Këngës së këngëve ta sjellë sa më afër origjinalit, ku fjalët në ebraisht kanë kuptime e sinonime të shumta, që e vështirësojnë jashtëzakonisht përktjimin.

Me përvujtërinë e një studiuesi të dëshmuar, profesor Berisha i vlerëson lart realizimet nga tradita e përkthimit të Këngës së këngëve, duke filluar nga Dom Gjon Buzuku, respektivisht me veprën e tij Meshari të botuar në vitin 1555, për të vazhduar më pas me Kristoforidhin, Dom Simon Filipajnë e të tjerë. Ajo që në veçanti duhet theksuar nga ky studim është qasja dhe interpretimi biblik e teologjik i Këngës së këngëve, ku vlerësimet e autorit përputhen me ato të studiuesve më të shquar të Beslidhjës së Vjetër, në veçanti të Fjalëve të urta dhe të Psalmëve. Në këtë mënyrë autori sjell vlerësime të shumta të njohësve të mëdhenj të Shkrimit të Shenjtë, siç është A Schökel për të përfunduar se Kënga e këngëve për më shumë se dymijë vjet u studiua dhe u interpretua si krijim që shqipton dashurinë e Hyjit ndaj popullit të zgjedhur të Izraelit dhe dashurinë e këtij popullit ndaj Hyjit. Brenda këtyre shpjegimeve, autori bën, po ashtu, sqarime duke filluar nga studiuesit e parë më të rëndësishëm të Këngës së këngëve, siç ishte Origjeni me librin e tij “Komente mbi Këngën e këngëve”. Origjeni u përqendrua sidomos në analizën figurative të tekstit të Këngës së këngëve dhe të simbolikës së pasur që del prej tekstit të saj, duke ndriçuar veçmas përmasën hyjnore. Ngjashëm ngjet dhe me vlerësimet e studiuesve të tjerë të mëvonshëm si Shën Ambrozi, Shën Tereza e Avilës, Andre Chouraqui etj. Disa autorë Këngën e këngëve e vlerësuan si përzgjedhje të këngëve të martesës, përkatësisht si “himn të martesës” të shkruar në gjuhën hebraike.

Mirëpo, duke mos u zgjatur në shpjegimet dhe mendimet e autorëve të shumtë, meriton të përmendet përkushtimi i autorit Berisha që përmes këtij studimi t’i ofrojë lexuesit vlerësimet se Kënga e këngëve shqipton dashurinë si marrëdhënie, qoftë mes burrit e gruas, qoftë mes Hyjit dhe njerëzve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button