Haxhi Krasniqi synon titullin e botës, më 22 prill e zhvillon meçin e jetës

Haxhi Krasniqi ndihet i lumtur që do ta ketë mundësinë të përballet me legjendën e boksit, Arthur Abraham.

Ky meç do të zhvillohet më 22 prill në Erfurt të Gjermanisë dhe boksieri kosovar e konsideron këtë si njërin prej meçeve më të forta dhe më të rëndësishme në karrierën e tij.

Junikasi ka nisur të përgatitet qe disa muaj, ndërsa tash, pasi është konfirmuar edhe data e meçit, do të punojë edhe më seriozisht deri kah gjysma e prillit.

“Meçin e fundit e kam pasur në korrik dhe më pas kam pushuar pak për t’i nisur përgatitjet në muajin shtator, me disiplinë dhe seriozitet. Kam ushtruar vazhdimisht, ndërsa në muajt e fundit e kam rritur intensitetin pa e ditur se cili do të jetë kundërshtari im, pasi besoj se jam shumë afër titullit të kampionit dhe duhet të jem i përgatitur në çdo kohë”, ka thënë junikasi për “Zërin”.

Image

“Unë me qëllim e kam ndërruar kategorinë, në mënyrë që të boksoj ndaj boksierëve të këtij niveli. Abraham është një legjendë, një kampion bote, i cili ka 10 vjet që është në nivele të larta. Për mua është privilegj të përballem me të, ndihem mirë që mu dha kjo mundësi. Unë me kohë kam menduar se edhe unë paskam kapacitet të jem boksier i madh dhe të shpallem kampion bote, prandaj jam duke shkuar kësaj rruge”, vazhdoi ai.

Vetë fitoren eventuale ndaj Abrahamit Krasniqi e konsideron si një të arritur të madhe në karrierë, e cila do t’ia hapte rrugët drejt realizimit të ëndrrës.

“Gjithsesi, me një fitore do t’i afrohesha edhe më shumë titullit, që është synim imi jetësor”, thotë Krasniqi.

Image

Krasniqi pret mbështetje nga shqiptarët

Tifozët shqiptarë, krahas atyre gjermanë, nuk e kanë lënë kurrë pa përkrahje Haxhi Krasniqin.

Junikasi pret që kjo të ndodhë edhe në duelin e tij të radhës.

“Unë pres mbështetje nga krejt shqiptarët, siç ka ndodhur gjithmonë. Ata janë motivi dhe energjia ime. Asnjëherë nuk e ndiej veten të vetmuar në ring pasi e kam përkrahjen e tifozëve, sidomos të atyre shqiptarë. Më vjen mirë që më konsiderojnë si djalë të krejt shqiptarëve dhe do të mundohem gjithmonë t’ua shpaguaj mbështetjen që ma japin”, thekson 29-vjeçari.

Image

Mundësia e fundit për Abrahamin

Meçi i 22 prillit me Haxhi Krasniqin konsiderohet si mundësia e fundit për veteranin Abraham.

37-vjeçari armen, por me pasaportë gjermane, ka zhvilluar 50 meçe deri më tash, prej tyre 45 fitore, 30 me nokaut.

Ish-kampioni i botës e konsideron këtë si meç mjaft të rëndësishëm, i cili do t’ia hapte rrugën drejt titullit të kampionit botëror përsëri.

“Nuk ka nevojë të flasim shumë, është një meç jashtëzakonisht i rëndësishëm. Do të flasim në ring”, ka thënë Abraham.

Trajneri i tij, Ulli Wegner, e ka pranuar se kjo mund të jetë mundësia e fundit për Abraham, i cili nëse humb nga Krasniqi, mund ta mbyllë krejt karrierën.

“Kjo është mundësia e fundit për Arthurin. Nëse humb, karriera e tij mbaron”, theksoi Wegner.

E Raiko Richter, shef sportiv i MDR-së, e konsideron këtë sfidë si mjaft të rëndësishme dhe ngazëlluese për tifozët e boksit. “Dueli ndërmjet Abrahamit dhe Krasniqit është një sfidë që ngjall vëmendje në nivelin kombëtar dhe një meç me plot emocione. Jemi mjaft të nderuar dhe krenarë që rrjeti televiziv MDR e ka të drejtën e transmetimit të këtij evenimenti”, theksoi ai.

Meçi mes Krasniqit dhe Abrahamit do të zhvillohet në Erfurt më 22 prill, në peshat super të mesme të versionit WBO dhe fituesi i tij do ta ketë mundësinë të luftojë për titull të kampionit të botës më pas.

Image

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button