Akuzat partiake tradhtar, spiun e matrapaz, çfarë do zgjedhin qytetarët?

Ofendimet, sharjet dhe fyerjet mes partive politike, kanë zëvendësuar elaborimin e programeve partiake në rrjedhën e deritanishme të fushatës elektorale, vlerësojnë  analistët.
Gjuha e urrejtjes dhe diskreditimi është prezentë në vokabularin e përfaqësuesve politik, konstatojnë organizatat të ndryshme joqeveritare dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Tabloja kadrovike, duke vlerësuar edhe përvojat e verifikuara të funksionarëve që ofrojnë partitë politike, sipas analistëve nuk dallon shumë edhe nga realiteti i akuzave që bëjnë. Por brengosëse, sipas tyre, është fakti se e gjithë kjo energji negative për të nxirë kundërshtarët politik bëhet pasi që partitë shqiptare nuk kanë çfarë të ofrojnë në programet e tyre.

Alajadin Demiri, vlerëson se thirrjet kontradiktore të partive shqiptare, krijojnë edhe një huti më të madhe tek elektorati shqiptar.

“Fushata zgjedhore deri tani karakterizohet me krijimin e hutisë, për zgjedhjet presidenciale. Njëra kërkon daljen në zgjedhje kurse tjetra një bojkot të pa definuar. E gjithë kjo e dëmton vlerën e votës shqiptare dhe e huton elektoratin ”thotë ai për Portalb.

“Ndërsa për zgjedhjet e parakohshme parlamentare karakteristikë është ajo se partitë nuk elaborojnë platforma politike, ofertë politike, por merren me nxirjen e njëra tjetrës, tradhtar spiun, matrapaz, janë vokabulari i vetëm që dëgjohet në këtë fushatë. Kjo përshtypje që krijohet nga partitë politike shqiptare do ta ulë daljen e elektoratit në zgjedhje.”, thotë Alajdin Demiri.

Dinamika e akuzave në mes partive politke shqiptare, nuk i përgjigjet dinamikës së projekteve të numëruara nga VMRO-DPMNE, e cila parë nga volumi janë të përqendruar  kryesisht në pjesën e Maqedonisë Lindore.

“Nuk është me rendësi fushata elektorale mes  partive shqiptare se sa dinamika e fushatës dhe investimet e bëra nga VMRO-DPMNE-ja.Sharjet dhe fyerjet që plasojnë partitë shqiptare, mund të jetë edhe një diskurs i paramenduar për tu ikur këtyre dështimeve, vlerëson për Portalb analisti Jeton Shasivari.

“Premtimet e fushatës së kaluar duhet të inkorporohen, në mënyrë që zgjedhësit të kenë mundësi të shohin se çfarë është realizuar dhe çfarë jo. Mungesa  e këtij prezantimi buron nga pozita favorizuese e VMRO-DPMNE-së me shtetin”, thotë ai

Shasivari thotë se volumi i punës me të cilën kanë menaxhuar ministrat shqiptarë në qeveri, krahasuar me pozitën favorizuese të ministrave të BDI-së, ka qenë shumë i vogël.

“Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e investimeve kapitale që sot i prezanton VMRO-DPMNE-ja, të shkojnë në pjesën lindore të vendit, ndërsa në pjesën perëndimore nuk ka asnjë investim kapital”, thotë Shasivari.

“Subjektet politike shqiptare nuk elaborojnë programet sepse në thelb, ato nuk kanë fare programe.  Disa faqe të shkruara e të shtypura sa për t’i pasur për fushatë, nuk paraqesin programe politike”, thotë për Portalb analisti Afrim Gashi.

A shton se nëse populizmi, mashtrimet dhe manipulimi i subjekteve politike ndaj elektoratit jashtë fushatës bëhet me konferenca të rralla për shtyp dhe aty-këtu ndonjë prononcim apo intervistë e liderëve në media, tash gjatë fushatës paraqiten të njëjtat dukuri por vetëm më të shpeshta dhe më të drejtpërdrejta. “Pra, për dallim nga veprimi i zakonshëm politik, tash ka vetëm më shumë makijazh, më shumë billborde dhe më shumë spote televizive, ndërsa përmbajtja është e njëjtë. Kjo gjendje, për fat të keq, sa është komike aq më shumë është tragjike”, thotë Gashi.

“Kjo mungesë e ofertave reale të subjekteve politike shqiptare, është realisht një premtim se gjendja jonë nuk do t ndryshojë edhe për disa vite, sidomos jo, deri sa konstelacioni i fuqive politike do të jetë i tillë. Andaj, kjo gjendje për shqiptarët është më se fyese dhe nënçmuese. Nga fushata e deritanishme, nga ligjërimi i tyre politik dhe nga emrat e propozuar për deputetë nga subjektet shqiptare, ne mund të jemi të sigurt vetëm në një gjë, ajo është se lufta për pushtet mes partive shqiptare do të vazhdon, ndërsa zgjidhje të problemeve për shqiptarët nuk do të ketë”, thotë për Portalb, Afrim Gashi.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button