Promovohet libri i autorit Qerim Lita, “Çështja shqiptare në RSFJ 1981- 1990”

Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, sot në amfiteatrin e UEJL-së në Shkup, promovoi librin më të ri të autorit Qerim Lita, me titull: “Çështja shqiptare në RSFJ 1981- 1990 (përmbledhje punimesh dhe dokumente)”. 

Libri voluminoz me mbi 600 faqe, përmes punimeve shkencore dhe dokumenteve të shumta historike, sjell fakte të reja për këtë periudhë turbulente për fatin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi. Kjo periudhë e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, përkon me fillimin dhe përgatitjen e terrenit për një rezistencë aktive të shqiptarëve të këtyre trojeve, për çlirim nga zgjedha e huaj.     
Për rëndësinë e librit folën recensentët Skender Asani, Demush Bajrami dhe Avzi Mustafa. 

“Rilindësit tanë, plotë një shekull kishin parashtruar jetësimin e autonomisë në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare ata u detyruan të zhvillojnë kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, që të ndryshojnë kursin politik dhe të shkojnë drejtë pavarësisë kombëtare, që u shpall me 28 nëntor. Edhe Kushtetuta e vitit 1974 binte ndesh me synimet politike të shqiptarëve në RSFJ, që të jenë të barabartë me njësitë tjera federale. Ajo përkufizohej vetëm në autonomin e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe i pamundësonte asaj që të kaloj në fazën tjetër të shpalljes së republikës së shtatë në kuadër të kësaj federate”, theksoi historiani Skender Asani. Sipas tij, demonstratat e vitit 1981, debllokuan procesin të cilin e kishin ngulfatur me kushtetutën e vitit 1974 institucionet shtetërore të asaj kohe, dhe i hapën rrugë procesit që me mjete demokratike dhe me luftë të jetësohet vullneti i popullit shqiptar për liri.

Edhe komunikologu Demush Bajrami, profesor në UEJL, në recensionin e tij theksoi zhvillimet dramatike të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, të cilat kulminuan me politikën fashizoide të Sllobodan Millosheviqit në njërën anë, dhe me rezistencën aktive të shqiptarëve të Kosovës në anën tjetër. 

Redaktori i librit, Avzi Mustafa, tha se përmes këtij libri, Qerim Lita ka zbardhur një kapitull të tërë të historisë së shqiptarëve në ish- Jugosllavi. Sipas tij, ky libër nuk është voluminoz vetëm se për nga numri i faqeve, por edhe nga pesha e madhe historike dhe dokumentare që ka në vete.

Autori Qerim Lita, tha se përmes këtij libri, sadopak është zbardhur politika diskriminuese e pushtetit të atëhershëm jugosllav, ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e veçmas ndaj shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, në harkun kohor 1981-1990.

Lajme të ngjashme

Back to top button