Iljaz Halimi: Marrëveshje historike me VMRO-DPMNE-në

Iljaz Halimi, kandidati për president i PDSH-së, flet për marrëveshje historike me VMRO DPMNE. Një deklaratë të tillë Halimi e ka bërë në emisionin ‘Zona B’ në Klan Kosova, dhe siç transmeton Alsat, Halimi ka theksuar se nëse ai kalon në raundin e dytë atëherë do të kushtëzojë zgjedhjen e Ivanovit.

“Në supozimin se njëri prej tre kandidatëve do të mund të fitojë dhe tash për tash siç duket është Ivanovi, kandidati i VMRO PDMNE-së, nëse hyjmë në garë unë dhe Ivanovi mundësitë janë që ne të arrijmë një marrëveshje historike me VMRO DPMNE nëse ata janë të interesuar të fitojë kandidati i VMRO-së..Ne nuk do të lejojmë të arrihet censusi nëse nuk arrijmë marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve respektivisht PDSH-së dhe VMRO-së..”, ka theksuar Iljaz Halimi, kandidat i PDSH-së për president.

Megjithatë analisti Albert Musliu për Alsat vlerëson se janë të pakta shanset që Halimi të kalojë në rrethin e dytë zgjedhor, ndërkaq sipas tij qeveria e re duhet të formohet mes partive fituese te të dyja blloqet, maqedonasit dhe shqiptarët.

“Subjektet politike shqiptare para 8 vitesh kanë arritur një konsensus, marrëveshje që fituesi te shqiptarët të jetë ai do të negociojë për participimin në qeveri. Për të negociuar për të hyrë në qeveri PDSH duhet të fitojë zgjedhjet që ta marr mandatin te qytetarët shqiptarë për të negociuar për qeverinë e re”, ka deklaruar Musliu për Alsat.

Lajme të ngjashme

Back to top button