Basha: Nuk pranojmë dialog fasadë. Objektivi ynë, qeveria teknike

Nga çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari i PD Lulzim Basha ka shprehur sërish rezervat e tij për takimin e mundshëm me kryeministrin Rama, transmeton Top Channel.

Në fjalimin e tij, Basha ka deklaruar se nuk do të pranojë kurrë një dialog fasadë, që, sipas tij, do të ketë si qëllim të garantojë vazhdimin e pushtetit të Ramës dhe qeverisë së inkriminuar.

“Në këto orë të vendimmarrjeve të mëdha kërkon që dialogu politik, si mënyra më e paqtë për të zgjidhur problemin e zgjedhjeve përmes një qeverie teknike, ta kthejë në një pazar për mbijetesën e republikës së vjetër. Një pazar që komploti ekonomiko-politik në dëm të shqiptarëve të vazhdojë. Që të vazhdojë të mbajë në këmbë qeverinë e krimit, që i mbylli Shqipërisë rrugën e integrimit në BE dhe që rrezikon liberalizimin e vizave”, ka thënë Basha.

Për kreun e opozitës, kreu i qeverisë dëshiron një kopje të takimit të vitit të kaluar për reformën në drejtësi, ku sipas tij nuk kishte përgatitur plane konkrete por vetëm monologje.

“Duan një dialog fasadë, me fjalime të parapërgatitura, me monologje. Por monologje shterpë ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, opozita është e hapur për një dialog të vërtetë politik, që sipas tij duhet të ketë dy objektiva:

“Ndërtimin e qeverisë teknike; dhe përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për: dekriminalizimin e plotë të shtetit shqiptar, luftën e vërtetë kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme”, ka shtuar Basha.

Teksa ka përsëritur akuzat për lidhjet e qeverisë me atë që e quan “narkomafia shqiptare”, Basha ka nënvizuar se me paratë e drogës mazhoranca në pushtet ka bërë lobing në kancelaritë ndërkombëtare për interesat e saj personale dhe jo ato të shqiptarëve.

Por këtë herë Basha ka përmendur edhe një burim alternativ për fushata të tilla lobimi, që sipas tij u është hequr shqiptarëve për të mbështetur “republikën e krimit”.

“Me paratë e narkomafies paguhen lobistët e korruptuar në Uashington dhe Bruksel. Me paratë e vjedhura nga ARMO po paguhen sërish lobistë në Uashington dhe Bruksel. Ne do t’i kthejmë paratë e naftës shqiptarëve dhe do të vëmë para drejtësisë përgjegjësit”, ka thënë mes të tjerash Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button