Trump garanci Japonisë për “kërcënimin e Koresë së Veriut”

Presidenti i SHBA-së, Donlad Trump, përmes një telefonate të zhvilluar me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, i ka dhanë garanci Japonisë për çështjen e Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi të agjencisë së lajmeve Kyodo, thuhet se “SHBA-ja është dhe do të qëndrojë përkrah Japonisë dhe Koresë së Jugut përballë kërcënimit të Koresë së Veriut.”

Sipas një njoftimi të bërë nga zyra e Abe, thuhet se dy liderët kanë diskutuar për çështjen e testeve të raketave të Koresë së Veriut. Trump dhe Abe kanë theksuar se ato janë një kërcënim serioz për Japoninë dhe se janë provokuese.

“SHBA-ja do të vazhdojë të koordinojë me aleatët e tjerë ndërkombëtar hapat që do të hidhen nga Japonia në lidhje me Korenë e Veriut”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se dy liderët ndajnë të njëjtin mendim përsa i përket rolit konstruktiv të Kinës në lidhje me parandalimin e programit raketor dhe nuklear të Koresë së Veriut.

Trump dhe Abe kanë theksuar se ndalimi i eksportimit të qymyrit nga ana e Kinës në drejtim të Koresë së Veriut, nuk është e mjaftueshme për të ndaluar këtë të fundit në provat e raketave balistike.

Zyra e Abe-s ka thënë gjithashtu se Trump ka siguruar Japoninë se për vendin e tij çdo lloj ndërhyrje është e mundshme dhe mbi tryezë. Ndërsa zyra nuk ka bërë komente mbi deklaratat e sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Japoni, tha se edhe çështja e ndërhyrjes ushtarake është një mundësi e cila është mbi tryezë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button