Rama në Berlin si rikthim i Shqipërisë në familjen europiane

Vizita e Edi Ramës javën e kaluar në Berlin paraqet një ngjarje me rëndësi madhore për shtetin shqiptar dhe shqiptarët në rajon. Pritja madhështore me nderime të mëdha ushtarake që smund të jenë veçse protokollare flet shumëçka për përceptimin që ka sot Gjermania për faktorin shqiptar në Europën juglindore. Nuk është e rastësishme që një vizitë e këtillë në vendin më të rëndësishëm të kontinentit vjen vetëm tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe formimit të qeverisë se re në Shqipëri. Eventi është pjesë sa e agjendave të paracaktuara muaj më parë aq edhe shprehje e preferencave të dy qeverive mike. Vizita është edhe një përpjekje e shtuar ndoshta më seriozja deri më tani e qeverisë shqiptare për të lobuar për statusin e vendit kandidat në BE, të refuzuar katër herë më parë.

Dhe lobim më të qëlluar se në Berlin pë këtë objektiv kryesor strategjik të qeverisë shqiptare smund të ketë. Deklarata e Kancelares Merkel se ajo është e sigurtë që Shqipëria është tashmë në Europë dhe do ta marrë statusin këtë herë është një ogur i mirë për ne. Edhe kërkesa e saj eksplicite për luftimin e korrupsionit dhe reformimin e sistemit të drejtësisë në mënyrë që investitorët gjemanë tashmë të sigurtë të zgjerojnë aktivitetet e tyre ekonomike investuese në Shqipëri, është lajm i mirë gjithsesi. Pritet të shihet sa janë kapacitetet e administratës publike shqiptare bashkë me vullnetin politik të mazhorancës qeverisëse për të të implementuar porositë e Berlinit zyrtar që në këtë rast flet edhe me gojën e Brukselit zyrtar.

Gjithsesi e përtej vizitës tashmë të sukseshme në fjalë, disa partneritete strategjike më e pakta të dyshimta të shprehura publikisht nga vetë Rama, madje të shkruara e zeza në të bardhë në programin qeverisës të PS lënë  të habitur shumëkënd që i do të mirën këtij vendi. Partneriteti strategjik me superfuqinë e vetme në shkallë globale sot SHBA, për më tepër aleat tradicional i shqiptarëve është një veprim shumë normal i qeverisë shqiptare. Partneriteti strategjik me SHB të Amerikës, kampionen e mbrojtjes së demokracisë dhe lirive e të drejtave të njeriut në rang botëror si dhe vendin lider në NATO ka qenë, është dhe mbetet një faktor i pazëvendësueshëm për vetë mbijetesën e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Aleanca me Amerikën është e padiskutueshme edhe në sytë e opinonit publik shqiptar me të cilën janë dakord shqiptarët kudo janë.

Por ca partneritete tjera me dy shtete të caktuara, njëri në fund të Europës i pleksur në kriza të vazhdueshme ekonomike politike dhe një tjetër madje krejtësisht jo europian me shtrirje aziatike po ashtu në kriza permanente politike, me një sistem autoritar politik si dhe me një rekord absurd të lirive e të drejtave si individuale ashtu edhe kolektive të njeriut, lënë pikëpyetje të shumta nga prapa. Kuptohet që vendi duhet të jetë i hapur për bashkëpunime me interes të ndërsjellë sa për fqinjët e afërt ashtu edhe për ata pakëz më të largët gjeografikisht. Por partneritetet e niveleve strategjike me këto dy vende që jo domosdoshmërisht janë modele të suksesit ekonomik apo politik nuk duken të jenë me përfitim për shqiptarët apo edhe të lënë përshtypje të mira në Bruksel. Dhe kjo e dyta, pra përceptimi i Brukselit duket të jetë pasoja e parë dhe më e rezikshme për shqiptarët dhe interesat e tyre nacionale në Ballkan.

Në këtë drejtim, të ballafaquar me pikëpyetje dhe dyshime të kësaj natyre, pritja madheshtore e KM shqiptar, Edi Ramës në Berlin sikur dha atë kumtin e madh të rikthimit të shqiptarëve në gjirin e civilizimit amë nga ku tentuan ti largojnë fuqi të caktuara lindore në shekuj. Duket sikur më në fund edhe Shqipëria meret seriozisht dhe i rezervohet dinjiteti prej sovrani në kancelaritë e atyre që vendosin për të ardhmen tonë. Jo se kjo nuk ka ndodhur më herët. Në fakt, rëndësia dhe pesha e faktorit gjerman apo gjermanisht folës në fatet e zhvillimit të vendit është shumë më i gjerë dhe determinues sesa shtjellohet në shkencën apo opinionin publik shqiptar.

Fakt është që vetë Gjermania si shteti me i madh europian dhe gjermanët si kombi apo elementi etnik qëndror në zemër të Kontinentit tonë janë aleati historik i Nacionit. Dhe këtë e dëshmon më së miri historia e dhimbshme, tragjike e jona në Ballkan. Në momente të shumta përthyerjesh historike me pasoja kruciale për fatin tonë si komb, elementi gjermanik ka ndikuar në forma dhe mënyra pozitive dhe madje shpëtimtare për ne.

Dhe për të vërtetuar këtë nuk ka nevojë të futemi ne errësirat e historive antike ilire, gjermanike e romake apo atyre mesjetare të luftërave të Mbretit legjendar Skënderbeut për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe aleancave me faktorin hungarez dhe vjenez të kohës.

Kontributi gjerman është shumë më i rëndësishëm për ne pikërisht në atë periudhën e historisë moderne që meret si lindja dhe qartësimi i identiteteve kombëtare nga ai brumi i paformësuar etnik dhe ndërtimi i shteteve kombëtare moderne si shprehje e aspiratave më të larta politike progresiste të këtyre kombeve të “reja” europiane. Popujt e vegjël balkanikë të ndodhur nën sundimin otoman të kohës që kishin mbetur prapa në drejtim të zhvillimit të ndjenjave kombëtare e kishin vendimtare ndërhyrjen apo sponzorimin e kulturave të mëdha, të zhvilluara e dashamirëse nga jashtë për të dalë nga një gjendje e këtillë e amullisë shekullore nacionale, pa të cilën i priste një asimilim i ngadaltë dhe vdekje e sigurtë.

Tek shqiptarët një rol të këtillë rilindës tejet të kufizuar dhe përzgjedhës në fillim por që erdhi gjithnjë duke u zgjeruar e zhvilloi Monarkia e dyfishtë danubiane, Vjena perandorake gjermanike. E interesuar të sigurojë kufinjtë e saj jugorë por edhe të shtrijë influencën politiko-ekonomike në juglindjen europiane, Vjena pa me sy pozitiv dhe investoi fuqishëm në rilindjen e shqiptarëve si kombësi e veçantë në Europën juglindore. Kultus Protektorati vjenez për katolikët ballkanas, shumica dërmuese e të cilëve shqiptarë etnikë dha sinjalin e parë të qartë në këtë drejtim. Prej këtu është interesante të ndiqet trajektorja e ndërhyrjes pro shqiptare të Vjenës në momentet kyçe të politikës së ashpër ballkanike. Parë realisht, Kultus Protetorati rizbuloi shqiptarët si grup i veçantë etnik pas 400 viteve letargjie identitare. Duket sikur Austro Hungaria është shteti qe në shekullin e XIX i bëri shqiptaret nga një masë amorfe shqipfolësish pa asnjë identitet etnik me vetëdije kombëtare, me histori.

Përzgjedhja, edukimi, organizimi dhe financimi i klerit katolik vendës, hapja dhe financimi i shkollave shprehimisht popullore ku mësohej gjuha shqipe në mënyrë zyrtare, pati një impakt të rëndësishëm nacional shumë përtej interesave të ngushta fetare të fillimit. Shkollimi shqip u bë shkëndija ndezëse e nacionalizmit shqiptar. Përveç shkollave shqipe, Vjena zyrtare nëpërmjet konsullatave dhe prezencës së natyrave të ndryshme në trevat etnike shqiptare,  financonte në mënyrë të hapur apo diskrete mijëra aktivistë shqiptarë duke filluar nga klerikë katolikë e myslimanë, mësues, pronarë të mëdhenj tokash, nëpunës otomanë me origjinë shiqptare e deri qytetarë aktivë patriotë që përpiqeshin për kauzën nacionale. Dokumente të reja të hapura në arkivat shtetërore austriake dëshmojnë që diplomacia austriake jo vetëm financonte veprimtaritë nacionaliste shqiptare të kohës, por nëpërmjet shërbimeve të specializuara madje përgatiste platforma të caktuara nacionale që hidheshin në opinion si kërkesa të grupeve shqiptare.

Edhe interesimi i shkencëtarëve të shumtë gjermanisht folës për shqiptarët e Shqipërinë, përtej kuriozitetit të natyrshëm shkencor kishte një komponentë politike në vetvete. Ishin po gjermanë ata që në fakt zbuluan dhe popullarizuan kulturën tonë origjinale në shkencën botërore. Rizbulimi i ilirëve dhe shqiptarëve pas shekuj errësire anadollake erdhi nga Vjena, Budapesti apo Berlini me Leibnitz, Hahn, Mayer, Sufflay, Von Tallozcy, Lambertz e shumë më tjerë.

Diplomacia austriake ishte faktori kyç në prapaskenë për organizimin dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Manastirit që dha alfabetin e vetëm të mundshëm të gjuhës shqipe, kurse Komisia letare e Shkodrës gjatë LPB që vuri bazat e standardizimit të gjuhës shqipe ishte vepër po austriake. Dalja e Shqipërisë si shtet më vete në Ballkan gjatë Konferencës së Londrës 1912/13 i detyrohet para së gjithash dhe kryesisht qëndrimit konsekuent austriak, që e vetme para presioneve, kundërshtimeve të egra dhe dinakërive bizantine greke, sërbe, malazeze, ruse, franceze por edhe hileve tipike italiane ia doli të shpëtojë një shtet deridiku viabël shqiptar. Një shembull tjetër flet shumëçka. Cenzusi i parë modern i popullsisë në Shqipëri, organizuar nga administrata austriake prezente gjatë luftës së parë botërore në vendin tonë, kishte për herë të parë në histori rubrikë me një emërtim të veçantë etnik, të shumëurryer dhe madje ligjërisht të ndaluar nga otomanë, grekë e serbë gjithë bashkë, “shqiptar”. Në vazhdim elita intelektuale shqiptare përfaqësuar nga Mojsiu, Cabej, Buda, Ceka, Gurakuqi e qindra të tjerë u formua po në Vjenë. Këto figura gjigande kombëtare vunë bazat e arsimit modern shqiptar në Tiranën e viteve 20.

Në kohërat më të reja, Republika Federale Gjermane ka qenë faktori numër një ekonomik në Shqipëri. Ajo është shteti që mer vendin e parë në ndihma financiare të painteres për Shqipërinë dhe Kosovën. Remitencat financiare miliardëshe të mbi 1 milionë qytetarëve shqipfolës që jetojnë e punojnë në vendet gjermanisht folëse të Europës qëndrore janë sipas ekspertëve tanë ekonomikë, faktori kryesor që shqiptarët mbijetojnë sot ekonomikisht në Ballkan.

Roli i politikës gjermane si shteti kryesor në Europë në çlirimin e Kosovës më 1999, eliminimin e supremacisë maqedonase ndaj komunitetit shqiptar në IRJM më 2001, anëtarësimin e RSH në NATO më 2009, pavarësimin e Kosovës më 2008 dhe një varg momentesh tjera kruciale për shqiptarët në Ballkan, sipas analistëve seriozë të marrëdhënieve ndërkombëtare është i padiskutueshëm dhe kardinal. Ai mund të krahasohet vetëm me kontributin amerikan të kohëve të fundit për kauzën tonë nacionale.

Në këtë drejtim, vizita e Kryeministrit Rama në Berlin është e një rëndësie të veçantë për Republikën e Shqipërisë dhe interesat tona nacionale. Ajo është një ngjarje që megjithë respektin maksimal ndaj kujtdo dhe çdokujt, nuk mund të krahasohet me vizitat apo takimet tjera të personaliteteve tona shtetërore. Ajo paraqet fillimin e rikthimit të sigurtë dhe real të shtetit tonë nacional në Europë. Vizita zyrtare dhe përmbajtësore e kryeministrit shqiptar në Berlin që siç duket do rezultojë në marjen përfundimtare të statusit të vendit kandidat, nuk është veçse fillimi i atij procesi të gjatë e kompleks për të bindur edhe tjerët për përkatësinë europiane të vendit tonë. Por pjesa më e madhe dhe kryesore e kësaj u arrit me suksesin e Berlinit që duket se do reflektojë në zhvillimet e ardhshme shumë pozitive për ne në Europën juglindore.  ‘E dua Shqipërinë si gjithë Europa’, vjen pas këtij takimi të rëndësishëm më afër se kurrë.

Lajme të ngjashme

Back to top button