BDI kërkon nga KSHZ largimin e votuesve nga Pusteci

Bashkimi Demokratik për Integrim dorëzoi dje në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve Ankesën me të cilën kundërshtohet përfshirja në regjistrin për zgjedhjet parlamentar 2014, të 675 votuesve nga Pusteci, të cilët kanë kërkuar realizimin e votës në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. 

BDI vlerëson se të gjithë këta votues nuk përmbushin kushtin ligjor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 27 prillit dhe aq më pak për të votuar kandidatin për deputet të Evropës. 

Kodi Zgjedhor parasheh qartë se të drejtë votimi kanë qytetarët me adresë banimi në Maqedoni, kurse në rastin votuesve nga Pusteci, ata nuk kanë fare adresë vendbanimi në Maqedoni.

“Këta qytetarë janë shtetas të Shqipërisë me adresë vendbanimi po në Shqipëri dhe që për arsye të ndryshme janë pajisur me nënshtetësi të Maqedonisë.  Ata nuk konsiderohen as diaspore e as mërgimtarë me qëndrim të përkohshëm në vendet e huaja dhe as banorë të Maqedonisë, për të pasur mundësinë e votës”, tha Bujar Osmani në konferencën për shtyp. 

BDI kërkon nga KSHZ, t’i fshijë këta persona nga regjistri i votuesve, sepse atyre nuk u përket me ligj e drejta për të votuar. 

“Ne vlerësojmë se, kjo do të ishte mënyra më e drejtë për të bërë procesin zgjedhor të besueshëm  dhe të pranueshëm për të gjitha palët. Ndërkaq lënia në regjistër e këtyre personave, do të ishte në konflikt të hapur me përcaktimet për zgjedhje të rregullta dhe të ligjshme”, tha Bujar Osmani.

Sipas Bujar osmanit, qëllimi është vetëm një që shqiptarët të humbin deputetin e Evropës. Ky është një tentim hileqar për të ndryshuar realitetin etnik të mërgatës dhe për të dëmtuar deputetin shqiptar. 

“Për fat të keq, në këtë lojë kundër shqiptarëve dhe kundër BDI-së u përfshi herën e kaluar edhe PDSH, ndërsa Gjykata Administrative nuk mori parasysh argumentet ligjorë dhe vendosi në mënyrë politike. Ne apelojmë partitë në KSHZ, sidomos PDSH-në, të rreshtohet të paktën një herë me shqiptarët dhe të votojë ankesën e BDI-së, duke u thënë JO 675 votuesve maqedonas që kërkojnë të jenë padrejtësisht pjesë e procesit zgjedhor më 27 prill”, tha Bujar osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button