Tahiri te Nishani: SHISH nuk na ka informuar

Rreth mesditës së djeshme, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka mbërritur në presidencë ku është takuar me kreun e shtetit Bujar Nishani. Arsyeja e kësaj vizite lidhej me një deklaratë të pak ditëve më parë që bëri Presidenti i Republikës, duke saktësuar se në të vërtetë SHISH-i ka raportuar dhe nuk janë të vërteta pretendimet që ka ngritur qeveria. Mirëpo faktet, sipas ministrit të brendshëm, flasin ndryshe dhe ai mësohet se ka mbërritur ditën e djeshme aty me një dosje në të cilat ka patur të shënuara të gjitha shërbimet që ka kryer SHISH në harkun kohor të më shumë se një viti.

Pretendimet e Tahirit lidhen me faktin se shërbimet sekrete kanë informuar më shumë deri në momentin që ka ardhur e majta në pushtet, ndërsa ka depozituar edhe një sërë shifrash që ai dispononte në lidhje me të gjitha rastet kur është informuar nga ky institucion. Mirëpo, sipas të dhënave, bëhet e ditur se raporti me shërbimet e kryera nga SHISH-i për të gjitha rastet tashmë gjendet në Kuvend, ndërkohë që pasditen e djeshme janë zbuluar edhe disa prej shifrave që Tahiri i ka vënë në dispozicion Presidentit.

Informacioni i ministrit

Në informacionin e Saimir Tahirit mësohet se është detajuar puna e Shërbimit Informativ Shtetëror në lidhje me llojin e informacionit dhënë Policisë së Shtetit. Që nga janari i vitit të shkuar e deri në 4 shkurt të këtij viti, shërbimi ka përcjellë vetëm 3 informacione në polici në lidhje me tregtinë e armëve luftarake dhe minave me telekomandë, ndërkohë që vetëm pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm në Komisionin e Sigurisë se nuk ka patur informacionin e nevojshëm nga SHISH, më 4 shkurt, ky shërbim ka dërguar menjëherë 11 raportime në polici në lidhje me këtë aktivitet kriminal, vetëm për tri javë.

Mësohet se policia i ka konsideruar ato si të dhëna pa ndonjë vlerë të madhe. Sipas raportit të dorëzuar në presidencë     po ashtu edhe në parlament thuhet se: Në periudhën janar 2013- 10 shtator 2013, pak ditë përpara se të vinte në detyrë qeveria e re, Shërbimi Informativ Shtetëror ka informuar plot 87 herë Policinë e Shtetit me 30 informacione për krimin e organizuar, drogën dhe trafiqet e paligjshme, për krimin ekonomiko-financiar me 10 informacione, si edhe 45 informacione të tjera sekret të listës së kontrollit. Gjithashtu për këto 9 muaj janë dhënë 2 informacione në lidhje me trafikun e armëve dhe municioneve dhe eksplozivëve, ku njëra ka lidhje me armët luftarake, ndërsa tjetra me mina me telekomandë. 

Pas ardhjes së qeverisë së re 

Për periudhën nga 10 shtatori deri në 31 dhjetor të vitit 2013, SHISH i ka përcjellë policisë 38 informacione, 11 për drogën dhe trafiqet e paligjshme, 8 për korrupsion dhe 18 informacione të tjera për kërkesa për bashkëpunim apo njoftime për veprime terroriste. I vetmi informacion që lidhet me trafikun e armëve dhe eksplozivëve, atë të eksplozivëve me telekomandë është dhënë nga SHISH-i në mesin e dhjetorit. Të dhënat nuk përcaktonin kohën e kryerjes së aktiviteteve të dyshuara. 

Ndërsa në periudhën 1 janar 2014 deri në fillim të shkurtit, kur aktet terroriste me tritol kanë qenë shqetësimi kryesor për rendin, janë dhënë 19 informacione, 9 për trafik droge, 2 për kontrabandë, dhe vetëm 1 informacion për trafik municioneve dhe eksploziv. Informacioni, sipas policisë, u dha 3 ditë pasi policia i kishte arrestuar personat. Sasia e informacioneve të dhëna nga SHISH për policinë ka ardhur pas datës 4 shkurt, kur edhe Ministri i Brendshëm nisi debatin politik se shërbimi sekret nuk po bashkëpunonte me policinë. Për periudhën 4 shkurt dhe 1 mars janë dhënë 41 informacione, nga të cilat 11 për trafiqet, 19 të tjera për njoftime dhe lista kontrolli, dhe 11 informacione për trafikun e armëve dhe minave me telekomandë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button