Itali, referendum për shkëputjen e Venecias

Venezianët kanë nisur të votojnë në një referendum për të vendosur nëse do të ndahen nga Roma, duke u rikthyer sërish si një shtet i pavarur.

Të inspiruar nga aspiratat nacionaliste të Skocisë, rezidentët e qytetit lagunor kanë nisur votimin ditën e martë, për të vendosur mbi pavarësinë e tyre, proces që pritet të vijojë deri ditën e premte dhe ku priten të votojnë rreth 2 milionë qytetarë.

Afro dy shekuj pasi Napoleoni (1797) shtypi Republikën 1000-vjeçare të Venedikut (e ashtuquajtur edhe si Republika e Qetë, për shkak të mospërfshirjes nëpër luftra), mijëra vetë kanë marrë pjesë në tubimet, që bëjnë thirrje për një shtet të ri në veri-lindje të Italisë.

Republika e Venecias mund të përfshijë rreth 5 milionë banorë të rajonit të Venetos dhe më vonë mund të zgjerohet me pjesë të rajoneve të tjera italiane, si Lombardia, Trentino dhe Friuli-Venezia Giulia.

Sondazhet e fundit tregojnë se 2/3-at e venecianëve janë pro pavarësisë. Shkëputja nga Roma mund t’u heqë atyre barrën e taksave të rënda, të cilat aplikohen për të mbështetur pjesën tepër të varfër të jugut, ku mbizotërojnë kryesisht krimet dhe mafia.

Lideri rajonal i separatistëve të krahut të djathtë, Lega Nord, Federico Caner, tha: “Në Veneto, ne kemi identitetin tonë, historinë dhe kulturën tonë. Edhe përpara se Italia të bëhej një komb, Venediku ka qenë Republika e parë demokratike e botës, që zgjati për 1000 vjet. Ne kemi gjuhën tonë, që flitet nga kushdo, që prej doktorëve e deri te gjykatësit”.

Ai deklaroi se shifrat zyrtare tregojnë se Veneto paguan 20 miliardë taksa më shumë kundrejt Romës, krahasuar investimet dhe shërbimet që merr prej saj. “Por, në të kaluarën, edhe pse Venecia ka identitetin e saj, ne kemi qenë më pak nacionalistë. Tashmë vuajmë nga kriza ekonomike. Taksat nga pushteti qendror po vrasin ekonominë tonë. Bizneset tona po dështojnë, ndërkohë që këshillat dhe shërbimet shëndetësore nuk kanë më parà. U lodhëm duke mbajtur jugun, ku ata vetëm shpërdorojnë paranë. Nuk mund të sillemi më si njerëz të verbër, përndryshe do të dështojmë të gjithë”.

Votimi aktual nuk është politikisht i detyrueshëm, por mund të legjitimojë thirrjet për një referendum zyrtar, siç do të jetë ai i Shtatorit në Britaninë e Madhe, për të vendosur mbi pavarësinë e Skocisë. Madje vota në Skoci mund të ketë një “efekt domino” mbi lëvizjen tonë, tha më tej Caner.

Venecianët mund të votojnë në referendumin e organizuar nga aktivistët në “Plebischito.eu”, në internet, nëpërmjet postës ose telefonit, si dhe do të pyeten gjithashtu nëse Venecia e pavarur duhet të bashkohet apo jo me BE-në dhe NATO-n, si dhe mbi përdorimin e Euro-s si monedhë të saj.

Organizatori Gianluca Busato tha: “Situata në Venecia është e paqëndrueshme. Më parë qytetarët kanë qenë besnikë ndaj Italisë, por tashmë ata ndihen të tradhëtuar”. Shteti i ri mund të marrë mbi supe edhe një pjesë të madhe (300 miliardë euro) të borxhit publik të Italisë, pretendon Busato. “Do të ishte diçka e mirë edhe për vet Italinë”, shtoi ai.

Aktivistët pro-pavarësisë kanë mbështetur tubimet nacionaliste në Skoci, si dhe separatistët në Katalunja, vendet Baske dhe rajonin e Flemingëve në Belgjikë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button