Rama takon Metën. Basha: Duam dialog, jo pazar për pushtetin

Që kur Ilir Meta i surprizoi të gjithë me propozimin e “qeverisë së besimit” dhe dhënien e të gjitha garancive për opozitën, skena politike ka pasur lëvizje të vrullshme dhe deklarata të forta, por asgjë nuk ka ndryshuar, transmeton Top Channel.

Madje as nga takimi, të mërkurën paradite, mes dy bashkëkryetarëve të koalicionit. Edi Rama dhe Ilir Meta kishin një takim kokë më kokë, prej të cilit mësohet se nuk ka asnjë zhvillim të ri.

Burime pranë dy bashkëkryetarëve të koalicionit pohojnë se Rama i ka qëndruar dy “vijave të kuqe” kushtetuese, se qeveria i përket shumicës dhe se data e zgjedhjeve nuk shtyhet. Burime të tjera të pakonfirmuara thonë se Ilir Meta po shtyn përpara opsionin e lënies së mandateve ekzekutive dhe marrjen e tyre prej opozitës si garanci për zgjedhjet.

Por mesa duket, ky është një opsion që nuk pranohet nga Lulzim Basha.

“Komploti ekonomik kundër jush, republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër.Jo pazare dhe jo llokma që të ndajmë bashkë pushtetin e republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti”, tha Lulzim Basha.

Nga çadra e protestës kishte vetëm një të re. Termi i qeverisë teknike nuk u përmend asnjëherë nga kreu i opozitës, i cili tha se kjo ishte një javë vendimtare për arritjen e qëllimit për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Nëse do të ketë dialog politik, që e kemi kërkuar prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës”, tha më tej Basha.

Aktualisht është shumë e paqartë nëse do të ketë dialog mes palëve. Ajo që po ndodh janë konsultimet e të gjithëve me bashkëpunëtorët më të ngushtë.

Gjatë drekës së të mërkurës, kryeministri Rama është takuar gjatë me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dhe me drejtues të tjerë të lartë politikë, Saimir Tahirin, Erion Veliajn, Ditmir Bushatin, Arben Ahmetajn.

Atyre u është bashkuar më vonë edhe Petrit Vasili i LSI-së, i cili sapo kishte mbaruar një takim me Ilir Metën. Megjithatë, këto takime ende nuk kanë prodhuar një akord mes mazhorancës për të ofruar një plan të përbashkët për daljen nga situata e krijuar politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button