MASH nuk përfill arsimtarët shqiptarë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk organizon takime apo debate me arsimtarët shqiptarë për të shqyrtuar problemet e ndryshme që ekzistojnë në arsim.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta bën të ditur se MASH nuk informon për asnjë ndryshim programor si dhe ligjor.

“Ne nuk dimë asgjë, nuk jemi të informuar për asgjë, thjesht mungon debati i MASH-it me vetë arsimtarët. Gjithçka bëhet krye në vete pa u konsultuar me neve. Siç ishte për shembull çështja e teksteve shkollore, për të cilat ende nuk dimë asgjë, gjithçka është e pa qartë ligjet ndryshojnë tërë kohën”, tha për Portalb, Dardhishta.

Nga ana tjetër kryetari i LASH-it Kumanovë, Etem Xheladini po ashtu shpreh revoltë ndaj MASH-it dhe thotë që ata jo vetëm që nuk konsultohen me lidhjen e arsimtarëve por edhe kur kërkohen takime, ato refuzohen.

“Nuk e mbaj mend kur kemi pasur ndonjë takim me përfaqësues të MASH-it. Ata jo vetëm që nuk kërkojnë që të debatojnë me ne apo të pyesin për problemet në arsim, ose të marrin apo të japin ndonjë sugjerim, ata madje na kanë refuzuar, nuk pranojnë kërkesën tonë për të zhvilluar takime, në të cilat do të bisedoheshin të ndryshme që janë prezentë në arsimin shqip”, tha Xheladini.

Përderisa arsimtarët ankohen dhe librat skandaloze nuk tërhiqen,  zëvendës ministri i arsimit, Safet Neziri, sërish ishte i pa arritshëm për tu kontaktuar nga redaksia Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button