Asnjë befasi, Reali e Chelsea kualifikohen

Ndeshja në mes të Chelsea dhe Galatasaray në Stamford Bridge ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat 2:0, me ç’rast Chelsea kalon në çerekfinale.
Chelsea e ka nisur mirë takimin, duke shënuar qysh në minutën e 4-të përmes sulmuesit Samuel Eto’o.
Chelsea pothuajse ishte dominuese në gjithë ndeshjen, duke krijuar raste të vazhdueshme. 
Dhe kur të gjithë po e prisnin fishkëllimën e gjyqtarit për përfundimin e pjesës së parë, një korner për Chelsean doli të ishte fatal për Galatën pasi Gary Cahill, i cili po e zhvillonte ndeshjen e 100 për Chelsean, gjeti hapësirën e mjaftueshme për të dyfishuar epërsinë e këtij takimi, me ç’rezultat edhe përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.
Djemtë e Mourinhos nuk po tregonin lodhje në asnjë moment të ndeshjes, duke sulmuar edhe në minutat e fundit të ndeshjes, por që portieri i Galatës, Fernando Muslera, ia doli të shpëtonte portën në disa raste të qindpërqindta.
Në minutat e fundit, Drogba pati rastin më të mirë të ndeshjes, por që nuk ia doli të shënonte madje as një gol të vetëm në këtë ndeshje. Dueli përfundoi me rezultat të përgjithshëm 3:1 për Chelsean.

E në Madrid, Reali ka dominuar edhe në takimin e dytë kundër gjermanëve të Schalkes me ç’rast i ka mposhtur përsëri, por kësaj radhe me rezultat më të ngushtë 3:1 për dallim nga i pari ku i kishte shënuar 6 e kishte pësuar vetëm një herë.
Ronaldo ka shënuar i pari në minutën e 22 kur nga afërsia mposhti Fahrmanin e Schalkes.
E gjermanët arritën të barazojnë dhjetë minuta më pas kur Tim Hoogland goditi nga distanca e që i ndihmoi atij një devijim i topit.
Isco e Bale që u inkuadrua në lojë më vonë ishin lojtarët që rrezikuan deri në fund të pjesës së parë për skuadrën nga Madridi. Moskonkretizimi i këtyre rasteve i mundësoi skuadrave të shkojnë në pushim me rezultat të barabartë 1:1.
Në minutën e 74 Cristiano Ronaldo i vetëm nga mesi i fushës vazhdoi deri kur arriti të tund rrjetën për herë të dytë në takim.
Vetëm dy minuta më vonë spanjolli i ri, Alvaro Morata shfrytëzoi për mrekulli pasimin e Balet e nga afërsia ia doli të dyfishojë epërsinë e “të bardhëve”.
Ky njëkohësisht ishte goli i fundit i takimit e Real Madridi kualifikohet në çerekfinale me 9 gola të shënuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button