Hapet ekspozita e veprave të zgjedhura të Omer Kaleshit

Nga sonte, 4 prill, deri më 18 prill të këtij viti, në sallonin ekspozues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, do të jetë e hapur ekspozita e veprave të zgjedhura të piktorit shqiptar nga Maqedonia dhe me karrierë botërore, Omer Kaleshi, që do të mbeten në pronësi të përhershme në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Artisti Omer Kaleshi, aktualisht figurë qendrore e pikturës evropiane dhe lindore, me veprat e tij të rralla në pikturën botërore të punuara me teknikën “vaj mbi kanavacë”, bëri emër si piktor i opusit briliant të ciklit të kokave. Ai është autor i ciklit prej pesëqind kokave të pikturuara, ndërsa ekspozitat e tij janë promovuar në institucionet prestigjioze parisiene, si dhe në shumë qytete të tjera të botës.

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Taki Fiti, në adresimin e tij para të pranishmive theksoi se Kaleshi është fëmijë i një babai shqiptar dhe nëne maqedonase, me shtetësi turke dhe status të piktorit parisien.

“Ai i bashkon tri vende ballkanike, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Turqinë, dhe të trija këto vende i konsideron si atdhe të tij, ndërsa Francën e konsideron si vendin e tij artistik. Prandaj, në shumë aspekte kjo është diçka e veçantë”, u shpreh Fiti.

Fiti në vijim shtoi se te Kaleshi ka diçka shumë me vlerë dhe ajo është përzierja e tij familjare, që tregon se, siç tha ai, gjithçka është e përzier në Ballkan.

“Mesazhi i tij si njeri dhe mesazhi i veprave të tij është se duhet të ndërpriten paragjykimet dhe dallimi i njerëzve në bazë fetare, etnike apo kombëtare, si dhe se Ballkanit i nevojitet frymë e kozmopolitizmit. Ne duhet të jetojmë së bashku në harmoni, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të jemi tolerantë ndaj njëri-tjetrit”, deklaroi Fiti.

Piktori Omer Kaleshi pjesëmarrësve në hapjen e ekspozitës iu drejtua në disa gjuhë të Ballkanit, duke apeluar për tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë

Pas përfundimit të ekspozitës në sallonin ekspozues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, veprat e zgjedhura të Omer Kaleshit do t’i dhurohen Universitetit të Shkupit “Nënë Tereza”.

Ndryshe, në hapjen e ekspozitës së tij në Shkup, morën pjesë numër i madh i mysafirëve nga vendi dhe jashtë tij, përfshirë edhe ambasadoren turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, sekretarin shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë, Behixhudin Shehabi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe shoqatave kulturore në vend.

omer3

– Kush është Omer Kaleshi? –

Omer Kaleshi lindi në fshatin Sërbicë të Kërçovës në vitin 1932. Shkollën e mesme teknike e kreu në Shkup, ndërsa në vitin 1956 emigroi në Turqi, ku dhe mbaroi studimet e Akademisë së Arteve në Stamboll.

Pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Arteve në Stamboll, Kaleshi u zhvendos në Paris, ku edhe sot jeton dhe vepron. Ai ka pasur numër të madh ekspozitash në Maqedoni dhe në botë.

Një galeri prej 25 pikturash të dhuruara nga artisti Omer Kaleshi u shndërruan në galeri të përhershme në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, e cila mbanë emrin e tij dhe është atraksion për qytetarët e Shkupit dhe për vizitorët nga jashtë. Përveç në qytetin e Shkupit, galeri e përhershme e piktorit është hapur edhe në Prishtinë.

Kaleshi fitoi edhe medaljet presidenciale të meritave nga Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës.

omer

omer1

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button