Oborri i komunës i mbushur me protestues

Një grup qytetarësh dhe një taksist kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës për çështje të ndryshme. Qytetarët kërkojnë strehim e taksisti leje pune.

Projekti i cili ka filluar para gjashtë vitesh nga ish-qeverisja lokale e Prishtinës, ka mbetur i pa përfunduar. Qytetarët të cilëve ish-pushtetarët e Prishtinës iu kishin premtuar se do t’iu ndërtonin një ndërtesë kolektive kanë mbetur pa strehë, pasi që shtëpitë ua rrënoi komuna për të realizuar projektin në fjalë. Ata që një javë po protestojnë para Kuvendit të Kosovës ndërsa sot janë bartur në oborrin e komunës.

“Ne i kemi besuar komunës sepse na kanë thënë që është në të mirë tonën ky projekt, mirëpo që nga ai moment nuk janë interesuar për neve. Kemi shpresuar në komunën por që nga viti 2011 filluan problemet dhe tani jemi kështu si jemi, me probleme ekonomike e mendore. Kjo neglizhencë na ka shkaktuar depresion”, ka thënë për Indeksonline një ndër qytetarët protestues, Sheqajdin Mejdani.

Ndërsa, Ramadan Mustafa i cili kishte kohë që punonte si taksist në qytetin e Prishtinës, ka disa ditë që ka hyrë në grevë në oborrin e Komunës së Prishtinës.
Ai shpjegon për Indeksonline sesi ka dërguar në komunë që disa vite kërkesën për leje të ushtrimit të punës së taksistit. “Komuna nuk më ka kthyer përgjigje prej asaj dite. Unë kam dërguar kërkesë ne komunë te sekretaresha e ish-kryetarit, ajo ma ka marrë numrin e telefonit por nuk më ka thirrë”, tha Ramadan Mustafa.

Taksisti kërkon të ushtrojë lirshëm detyrën e tij, sepse ai thotë që e ka gjendjen e rëndë ekonomike familjare dhe se tjetër punë nuk mund të ushtrojë për shkak të moshës.
Protestuesit kanë thënë që janë takuar me asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha, dhe sipas tyre ai iu ka premtuar që shumë shpejtë do të bëjnë një zgjidhje për këto raste./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button