Vazhdojnë akuzat për afera korruptive mes VMRO-së dhe LSDM-së

Nga partia e Gruevskit sot pyetën publikisht zëdhënësin e LSDM-së Petre Shilegov se si është e mundur që me pagë minimale të marrë shtëpi tre katesh prej 313 m2, dy automjete Mercedes dhe Audi, dhe banesë 88 m2 në Kisella Vodë.

“Pasi është e pamundur që të fitoni pronë kaq të madhe me pagë minimale, të cilën e kanë paraqitur ai dhe bashkëshortja e tij se marrin, ne sot pyesim, nëse kjo pronë është fituar për faktin se Shilegov i ka ndihmuar firmës ‘Semos’ të fitojë biznese me vlerë të madhe. TË përkujtojmë se firma ‘Semos’ të cilës i ka ndihmuar Shilegov, si bashkëpronar ka edhe bashkëshorten e Branko Cërvenkovskit”, theksoi Daniella Rangellova, nga VMRO DPMNE-ja.

Nga VMRO-ja theksojnë se Shilegov, si kryetar i Komisionit të shkallës së dytë për vendosje rreth ankesave për furnizimet publike, firmës së bashkëshortes së Cërvenkovskit i ka mundësuar të përfitojë 4 biznese të majme. Nga partia në pushtet pyetën nëse pronën e tij, Shilegov e ka fituar përmes manipulimit me tenderët dhe përse gjithmonë bashkëshortja e Cërvenkovskit është paraqitur si fituese të tenderëve për furnizime publike.

Akuzat e VMRO DPMNE-së vijnë një ditë pasi zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov zbardhi detajet e reja nga skandali Aktor si dhe dokumente të reja me të cilët tregohet se drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijalkov, përveç Republikës Çeke dhe Panamasë, po zhvillon biznese edhe përmes parajsës së kursimeve revizore, Zvicrës.

Lajme të ngjashme

Back to top button