Seferi: Edhe Miravcin do ta fitojmë

KF Shkupi nga e marta ka vazhduar me përgatitje të rregullta, për të qenë sa më të gatshëm për derbin e të shtunës, kur në stadiumin e Çairit do të jetë mysafire ekipi i Miravcit, skuadër kjo që është pozicionuar e katërta në tabelë.
Shkupi javën që lamë pas ka shënuar fitore me vlerë si mysafire ndaj Lokomotivës, ndërsa të gjithë në ekip mendojnë se futbollistët nga dita në ditë po arrijnë të jenë si një grup i fortë dhe i pathyer.

Një nga futbollistët e Shkupit që është dalluar me lojën e tij në ndeshjet që Shkupi ka shënuar fitore të larta është dhe mbrojtësi Erkan Seferi. Puna mirë e sinkronizuar në mes mbrojtjes dhe mesfushës, ka bërë që Shkupi në këtë edicion të pranojë vetëm një gol. Pikërisht këtë lojë e ka vlerësuar edhe vetë mbrojtësi Seferi.

“Thjesht thënë po përjetojmë kënaqësi si në përgatitje ashtu edhe gjatë ndeshjeve. Atmosfera pozitive në klub nga dita në ditë vetëm sa vjen e rritet. Ne kemi fat që luajmë përkrah futbollistëve me përvojë si Zendeli, Bajrami, Nuhiu, Stankovski dhe të tjerëve si dhe treshen e trajnerëve që kemi për këshilla. Kjo ka dëshmuar se Shkupi po formon themele të forta dhe se nga dita në ditë po bëhemi edhe më të fortë”, është shprehur Erkan Seferi i cili në ndeshjen kundër Miravcit pret të vazhdojë seria e fitoreve.

“Në asnjë moment nuk mendojmë për rezultat tjetër përveç se fitoreve, kjo është mënyra se s ii qasemi secilës ndeshje dhe secilit kundërshtarë. Është mirë që po funksionon si një trup mbrojtja me sulmin, e rezultat i kësaj janë 6 gola të shënuar dhe vetëm një i pranuar. Edhe me Miravcin do të praktikojmë lojën që e kërkon trajneri ynë Ramadani, duke sulmuar kundërshtarin që në minutat e para të ndeshjes. Shpresojmë se gëzimi i tifozëve do të vazhdojë gjatë, pasi që kemi vendosur të bëjmë një Shkup të fortë, e që secila skuadër do të ketë dëshirë të luajë kundër nesh”, është shprehur Seferi. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button