Kryetari Nevzat Bejta priti një delegacionin nga Turqia

Kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, priti në kabinetin e tij një delegacion të Shoqatës Vullnetare për Edukim nga Turqia, e cila ndërmjetëson në ndërtimin e objektit të ri të Medresesë së fermave në Gostivar.

Kryetari Bejta, kryetarin e kësaj Shoqate, Ibrahim Erdogan e njoftoi me bashkëpunimin e shkëlqyer të deritashëm me Myftininë e BFI-së në Gostivar dhe aktivitete e shumta të përbashkëta me këtë institucion fetar.

“Me Myftininë  e Gostivarit kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer dhe gjithmonë në kuadër të kompetencave tona, kemi ndihmuar në denacionalizimin e pronës së Bashkësisë islame, përgatitjen e dokumentacioneve të ndryshme, planeve detaje urbanistike dhe bashkëpunim në sfera tjera. Falë këtij bashkëpunimi, shumë prona të bashkësisë islame tashmë janë denacionalizuar, siç është parkingu përballë Qendrës për kulturë dhe Tregu i gjelbër i qytetit. Kemi sjellë plane të reja detaje urbanistike me çka mundësohen edhe investime në këto lokacione, respektivisht ndërtimi i komplekseve fetare dhe hapësirave afariste, për çka janë të interesuar edhe investitorë konkret”, theksoi Bejta. 

Ai e njoftoi kryetarin e Shoqatës nga Turqia se komuna e Gostivarit ka mbështetur ndërtimin e  shumë objekteve fetare në territorin e saj, ndërmjet të cilave edhe mjediset e Myftinisë dhe Medresesë ekzistuese, ndërsa dy rastet më të fundit janë xhamitë në fshatin Debresh.
 
Nga ana tjetër, Ibrahim Erdogan tha se është i njoftuar me punën e kryetarit Nevzat Bejta në drejtim të avancimit të gjendjes së komunitetit islam  në Gostivar duke e përgëzuar atë për punën e deritanishme dhe duke i uruar punë të suksesshme edhe në të ardhmen. Ai e njoftoi kryetarin Bejta, se shoqata me të cilën udhëheq ai shtrin aktivitetin e saj në vende të ndryshme të botës, kryesisht në sferën e përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve jetimë. Kjo shoqatë ka ndërmjetësuar dhe ka ndihmuar hapjen e më shumë institucioneve arsimore fetare nëpër botë.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button