Ohër, sektori i sigurisë në Ballkan diskuton kërcënimet e ISIS-it

Në organizim të Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollovski” nga Shkupi dhe Akademisë Bullgare të Shkencave, nga dita e sotme në Ohër filloi punëtoria e shkollës së avancuar të NATO-s me temë “Lufta kundër aktiviteteve të ISIS-it për radikalizimin nëpërmjet kiber-hapësirës në rajonin e Evropës Juglindore”, ku do të marrin pjesë përfaqësues prej sektorit të sigurisë nga Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë punëtori e cila do të zhvillohet gjatë pesë ditëve të ardhshme, do të diskutohet mbi trendet globale lidhur me përdorimin e kiber-hapësirës dhe teknologjive nga ana e ISIS-it, si dhe mbi ndërtimin e një bashkëpunimi rajonal mes pjesëmarrësve nga NATO dhe vendet nga Partneriteti për Paqe.

Para fillimit të puntorisë, deklaratë për media dhanë ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski dhe shefi i Departamentit të Informatikës dhe Sigurisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, Zlatogor Minçev.

Ministri Jolevski tha se edhe pse muajve të fundit ISIS është duke pësuar humbje, situata edhe më tej duhet të mbikëqyrur nga afër.

“Këto pesë ditë do të kemi shumë ligjërues nga vendet anëtare të NATO-s, si dhe pjesëmarrës nga rajoni, ku do të diskutohet se si vendet e rajonit të përballen me kërcënimet e sigurisë kibernetike, përkatësisht të ulet radikalizimi i personave të rinj të cilët ISIS dhe disa organizata tjera terroriste i shfrytëzojnë. Kjo është një konferencë shumë e rëndësishme, sepse ekspertët nga Maqedonia dhe mbarë rajoni do të fitojnë njohuri të rëndësishme të kësaj fushe, me qëllim që të jemi më të suksesshëm në këtë sfidë”, deklaroi Jolevski.

Ministri Jolevski foli edhe për krizën e refugjatëve, gjë për të cilën theksoi se janë duke ndjekur situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, përfshirë edhe mundësitë për një valë të re të emigrantëve.

Ndërkaq, Zlatogor Minçev në pyetjen nëse posedojnë informacione për valë të re të refugjatëve, tha se është e domosdoshme masë paraprake për shkak të mundësisë së një vale të re të refugjatëve.

“Nuk jam i gatshëm për detaje, por ekzistojnë plane të caktuara nëse merren në konsideratë deklaratat e presidentit Erdoğan. Nëse kjo situatë vazhdon në Evropë, ata mund të hapin kufijtë dhe refugjatët të vijnë këtu. Këtu ka kampe për refugjatë dhe shpresojmë se vala e refugjatëve vetëm do të tranzitojë. Megjithatë, është e rëndësishme që ne të jemi të përgatitur, më tepër në ngritjen e vetëdijes tek publiku dhe nevojës së diskutimeve të çështjeve të rëndësishme, sepse kjo është detyrë e sektorit të integruar të sigurisë për t’u përballur me dukuri të tilla”, deklaroi Minçev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button