Avioni, Kina nis kërkimet nga toka

Kina ka nisur kërkimet në territorin e saj për avionin e humbur të “Malaysia Airlines”, teksa kërkimet ndërkombëtare vazhdojnë.

Lajmin e ka bërë të ditur media shtetërore lokale, sipas të cilës përpjekjet për të gjetur avionin po fokusohen në dy korridore të mëdha ajri, në veri dhe jug të vendit ku avioni u lokalizua për herë të fundit.

Kina deklaroi se për momentin nuk është gjetur ndonjë lidhje me terrorizmin tek pasagjerët kinezë. Avioni u zhduk më 8 mars teksa udhëtonte me 239 pasagjerë në bord.

Të paktën 26 vende janë përfshirë në operacionet e kërkimit. Nga ana e saj, Malajzia deklaron se drejtimi i avionit është manipuluar qëllimisht dhe ai mund të ketë fluturuar si në harkun verior ashtu edhe në atë jugor që nga lokalizimi i fundit në Ngushticën Malaka.

Kërkimet janë fokusuar në dy korridoret, njëri prej të cilëve zgjatet nga kufiri i Kazakistanit dhe Turkmenistanit deri në veri të Tajlandës dhe tjetri nga Indonezia në Oqeanin Indian.

Hetuesit po kontrollojnë mbi mundësinë që ekuipazhi i mjetit fluturues, ose individë të tjerë që ndodheshin në bord, të jenë përfshirë në zhdukjen e tij. Të paktën 153 shtetas kinezë ndodheshin në bordin e avionit në fjalë, i cili po fluturonte nga Kuala Lumpuri në Pekin.

“Bazuar në kontrollet e fundit, nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se pasagjerët kinezë ishin të përfshirë në pengmarrje apo sulme terroriste”, deklaroi ambasadori kinez në Malajzi, Huang Huikang.

Ndërkohë, Autoriteti për Sigurinë Detare i Australisë deklaroi se do të kryejë një kërkim të ri në një zonë në jug të Oqeanit Indian. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button