Gruevski anashkalon ministrat e BDI-së

Ministrat e BDI-së në qeveri mos pjesëmarrjen e tyre në ‘llogaridhënien’ e projekteve të cilat ditë më parë i prezantoi kryeministri Gruevski, e arsyetojnë me faktin se BDI ka realizuar program të pavarur, raportin e të cilit së shpejti do t’ia prezantojë opinionit.

“Prezantimi që bëri kryeministri Gruevski kishte të bënte me projektet e VMRO-së së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor. Ne kemi hyrë në qeveri me marrëveshje paraprake të koalicionit. Ne kemi pasur platformën tonë e cila ne atë kohë me marrëveshje u bë pjesë e programit të qeverisë. Rrjedhimisht ne do të kemi llogaridhënie gjithashtu para elektoratit për punën që bëjmë”, u shpreh zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi.

Në prezantimin e projekteve të qeverisë, ndonëse një numër i projekteve janë dhe të përbashkëta, kryeministri Gruevski nuk e kishte parë të arsyeshme të ftojë edhe ministrat e partisë së koalicionit BDI-së. Megjithatë sipas zëdhënësit të qeverisë Muhamet Hoxha, programi i qeverisë paraqet bashkim të programeve, respektivisht programit të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, prandaj preanzimi i tyre bëhet përpara votuesve respektiv.

“BDI ka përgatitur raport për realizimin e projekteve të subjektit tonë gjatë mandatit 2011-2014, llogaridhënie e të cilës do të bëhet publike gjatë ditëve në vijim. Qasja jonë është e pavarur dhe elektoratit tonë do t’ia prezantojmë të gjitha projektet e realizuara, ato që realizohen aktualisht dhe projektet akoma të papërmbushura”, theksoi për Portalb, zëdhënësi i qeverisë Muhamet Hoxha.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së sot ishin të pakapshëm për të shpjeguar anashkalimin e ministrave të BDI-së, në projektet që prezantoi kjo parti.

Për ekspertët, qasje e tillë e partnerëve të koalicionit, dëshmon mungesën e unitetit në udhëheqjen e pushtetit ekzekutiv, dhe funksionimin e tij në mënyrë paralele nga dy partitë në pushtet

“Një paraqitje e tillë përpara opinionit nuk habit aspak, veçanërisht nëse kihet parasysh se edhe deri më tani partnerët e koalicionit jetonin nën kulm të njejtë por, në mënyrë të tillë kur BDI shpesh herë dukej si qiraxhi, ndërkaq VMRO si pronar i vetëm i shtëpisë. Nëse i lëmë anësh spekulimet se bëhet fjalë për një teatër të radhës të partnerëve të deritanishëm të koalicionit, kjo është edhe një dëshmi për mungesë të unitetit të qeverisë dhe paralelizmit në paraqitjet e tyre. Me atë që, edhe një herë theksoj se, VMRO gjithë kohës bënte të ditur se kush është shefi, ndërkaq BDI i gëlltiste fyerjet, nënçmimet dhe bllokadat”, theksoi për Portalb, Xhabir Deralla nga Qendra për Liri, Civil.

Kryeministri Gruevski ditë më parë gjatë llogaridhënies së punës së qeverisë, theksoi se gjatë mandatit tre vjeçar kësaj, nga gjithsej 1376 projekte, 1009 janë përfunduar, 38 nuk janë realizuar, kurse 300 të tjerë janë në hartim e sipër./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button