Anketa “anonime” e USHT-së (Foto)

Për herë të parë në studimet e disperzuara të Universitetit të Tetovës në Shkup, u realizua një anketë me studentët, të cilët kishin mundësi që të vlerësojnë profesorët si dhe kushtet në të cilat zhvillohen ligjëratat si dhe provimet.

Studentët të cilët iu nënshtruan kësaj ankete, u ankuan gjoja ajo nuk ishte anonime, edhe pse nuk duhej të shkruhej emir e mbiemri, sipas tyre kjo anketë kishte të dhënat në të cilat shumë lehtë mundet të identifikohet një student.

“Na thanë se është anonime, se nuk duhet të shkruhet emir dhe mbiemri, por kjo është gënjeshtër. Na u dhanë dy fleta në të cilat ishte numri i njëjtë serik, si dhe kërkoheshte që t’i shënojmë lëndët profesorët notat që kemi marr, gjinia, drejtimi, fakulteti, të gjitha, që do të thotë se nëpërmjet notave, gjinisë dhe drejtimi secili student shumë lehtë mund të identifikohet”, tha A. V., student.

Ata shtojnë se janë obliguar që të shkruajnë mirë për të gjithë profesorët nga frika se mos ndoshta zbulohen dhe profesorët do të hakmerren për këtë.

“Kemi ende provime që nuk i kemi marrë. Pasi kjo anketë nuk është në të vërtetë anonime, ne nuk mund të shkruajmë realitetit, çka nëse na hetojnë?, çka nëse profesori vendos të hakmerret dhe të na humb vitin?, prandaj nuk ma merr mendja që kjo anketë do të rezultojë e suksesshme nga vet fakti që nuk ishte anonime”, tha një student tjetër.

Nga USHT bëjnë të ditur se kjo anketë është anonime, por nuk sqaruan punën e numrave serik. Ata thanë se kjo bëhet në dobi të studentëve, të cilët mund t’i vlerësojnë vet profesorët e këtij universiteti.

Kurse sa i përket hapësirës, kjo nuk u pengoj studentëve që të ankohen edhe duke ditur se mund të jenë të zbuluar, ata u ankuan sërish për mungesën e kushteve elementare për zhvillimin e ligjëratave dhe provimeve.

“Kushtet për zhvillimin e studimeve janë të mjerueshme në Shkup, s’ka hapësirë, nuk ekzistojnë kushtet elementare për zhvillimin e mësimit, s’ka dritare, s’ka ngrohje. Nuk duam mbyllje të drejtimeve shkaku i mungesës së hapësirës, duam objekt adekuat për një universitet”, tha F.T., student.

Ndërkaq kohë më parë nga Komuna e Çairit u paralajmërua se tani më Qeveria ka ndarë truall prej 20 mije metra katrorë për ndërtimin e një objekti të ri të Studimeve të Disperzuara në Shkup, në kuadër të USHT-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button