Dega e PDSH-së në Strugë brenda kësaj jave do ta thotë fjalën e fundit

Dega e PDSH-së në Strugë brenda kësaj jave do ta thotë fjalën e fundit rreth listës së kandidatëve për deputetë. Kryetari i degës së Strugës Lavdrim Elmazi në një deklaratë për Alsat, ka konfirmuar se bojkoti i kuvendit të një ditë më parë të konventës së PDSH-së që u mbajt në Tetovë, është si rrjedhojë e mos marrjes akoma në shqyrtim të kërkesës së saj për ndryshimin e listave të kandidatëve.

“Dega e Strugës i rrinë besnik kërkesës së saj që ia ka drejtuar kuvendit të kryesisë qendrore të PDSH-së për ta rishikuar listën. Ndërkaq qëndrimi jonë zyrtar do të jetë pas mbledhjes që do të jetë brenda kësaj jave, pasi të kemi një vendim zyrtar do të ju njoftojmë lidhur me vendimin që do ta marrim”, është shprehur kryetari i degës së Strugës Lavdrim Elmazi për Alsat.

Megjithatë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi edhe në konventën e një nate më parë ka konfirmuar qëndrimin e prerë se nuk do të ketë ndryshime listash dhe se do të kapërcehen të gjitha dallimet.

“E di se ka vërejtje dhe pakënaqësi, patjetër të tejkalohen. Ju them se nuk do të lëshojë pe për shkak të drejtësisë dhe jo për shkak të forcës”, ka theksuar Thaçi.

Dallimet në partinë e Thaçit po thellohen pas refuzimit nga ana e degës së Strugës, të listës së kandidatëve për njësinë e 5-të zgjedhor, për të cilën siç theksojnë nuk është konsultuar aspak dega e Strugës, por vendimet janë marrë vetëm nga kryesia qendrore e partisë. Jozyrtarsiht, pakënaqësia kryesore e degës së Strugës, është caktimi i Zija Jonuzit për bartës të listës së njësisë së 5-të zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Back to top button