Paqartësi me degën e PDSH në Strugë

Akoma mbetet i paqartë vendimi i degës së PDSH-së në Strugë, a do të mbetet apo do ti këpusë lidhjet me qendrën e kësaj partie në Tetovë, pasi që lideri i saj, Menduh Thaçi kandidoi Zija Jonuzin për bartës së listës në njësinë numër pesë ndryshe nga ajo që priteshe nga kjo degë lokale.

Mësojmë se kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela është ende në Turqi ndërsa heshtja ka mbizotëruar nga të gjithë në këtë komunë. Mos-pjesëmarrja e tij në konventën promovuese  dukshëm i ka thelluar ndarësit në mes degës së Strugës dhe  selisë qendrore.

Nga ana tjetër nga PDSH-ja në Tetovë gjithashtu nuk komentojnë asgjë, posaçërisht pas fjalimit të Thaçit mbrëmë në Konventën e kësaj partie.

Në konventën  promovuese  të kandidatëve të PDSH-së në Tetovë, Thaçi foli për këtë mosmarrëveshje duke thënë se nuk do të lëshojë pe.

“PDSH-ja ka qenë e sulmuar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, kur flasim për njësinë numër 5, por unë nuk do të lëshoj pe pasi që jam i drejtë e jo i fortë. Kërkoj legjitimitetin nga shqiptarët për të dalë para kundërshtarëve tonë maqedonas kushto qofshin ata” tha mes tjerash Thaçi.

Deklarimet e fundit të PDSH-së në Strugë janë se ata nuk do të mbajnë përgjithësi për rezultatet e degës së Strugës me Zija Jonuzin bartës të listës, gjë që len të kuptohet se ata do të jenë indiferent   ndaj kësaj liste.

Lajme të ngjashme

Back to top button