Maqedoni, zyrtarët shtetëror shpërndajnë urrejtje

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, ka konstatuar shkelje të mëdha të të drejtave dhe lirive të njeriut nga institucionet e vendit dhe në veçanti e ka theksuar faktin “shqetësues në përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga ana e funksionarëve të lartë”. Ai ka përfshirë këtu edhe kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, njofton REL.

“Si i pari i këtij institucioni i cili ka për detyrë të promovojë dhe të mbrojë liritë dhe të drejtat e njeriut, ndjej përgjegjësi të shpreh shqetësimin e madh për praninë e gjithnjë e më të madhe të gjuhës së urrejtjes si në media ashtu dhe në rrjetet sociale. Veçanërisht që këtë gjuhë të urrejtjes e përdorin persona publik, bartës të institucioneve të larta të shtetit dhe e njëjta nuk sanksionohet”.

“Për të qenë më shqetësuese kjo dukuri janë paraqitjet e ndryshme të funksionarëve të lartë, mund t’i përmendim me emra, paraqitja e drejtoreshës së komisionit për bashkësitë fetare, paraqitjet e drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, ato të kreut të VMRO-së janë mjaftë shqetësuese. Ata drejt për së drejti dëmtojnë dialogun, tolerancën, thellojnë hendeqet mes etnive“, ka theksuar avokati i popullit në Maqedoni Ixhet Memeti.

Ndërkaq ish kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Shkup, Mirjana Najçeska aktiviste për të drejtat e njeriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjuha e urrejtjes gjenë shtrirje gjithnjë e më të madhe nga ana e drejtuesve të institucioneve, por edhe liderëve politikë, sepse ajo nuk është sanksionuar nga organet e gjyqësorit.

“Gjykatat edhe përkundër asaj se viteve të fundit ishin ngritur më shumë raste të cilat në mënyrë të qartë argumentonin shkeljen e ligjit që rregullon këtë cështje me ç`rast kërkohej sanksionimi i gjuhës së urrejtjes, shikuan përmes gishtërinjve dhe hodhën poshtë pothuajse të gjitha rastet ku në bankën e të akuzuarve u gjendën zyrtarë të lartë të shtetit”.

“Elementi tjetër që i jep hov shtrirjes së gjuhës së urrejtjes është lehtësia me të cilën shërbehen zyrtarët e lartë të shtetit me gjuhën e urrejtjes për tu veshur me petkun patriotik për të kamufluar aktivitet kriminale dhe kjo sërish nuk dënohet as nga mediat , opinioni, dhe kuptohet organet e gjyqësorit që janë të obliguara të veprojnë”, thotë Najçevska.

Përderisa Shpëtim Nuredini gazetar për Radion Evropa e lirë konsideron një numër i madh i mediave përderisa financohen nga burime të institucioneve shtetërore pikërisht këto media u japin hapësirë dhe drejtuesve të institucioneve apo partive politike në pushtet pavarësisht se gjatë shprehjes së qëndrimeve politike ata përdorin gjuhën e urejtjes për motive politike pa mbajtur llogari për reziqet që sjell kjo gjuhë në një shoqëri shumë etnike siç është Maqedonia.

“Fatkeqësisht organizatat apo shoqatat të cilat kanë për detyrë të mbrojnë grupe të caktuara të interesit nuk janë fort të zëshme dhe nuk reagojnë aq sa duhet për të luftuar këtë dukuri, praninë e gjuhës së urrejtjes e cila fatkeqësisht burimin e ka brenda institucioneve të shtetit dhe njëkohësisht në media përfaqësohet sikur të jetë diçka në rregull, pra u jepet hapësirë ne media partive politike dhe zyrtarëve të lartë politik të cilët përdorin këtë gjuhë dhe prezantohen në media me figurën e luanit, pra mbretit duke zënë hapësirën qendrore në terminet kryesore të emetimit të lajmeve”, thotë Nuredini.

Ndryshe, Avokati i Popullit në Maqedoni ka theksuar se shumë institucione në vend vazhdojmë të pengojnë punën e këtij institucioni duke u fokusuar tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ajo e Shëndetësisë, e Punëve të Brendshme, Drejtësisë, Prokuroria Publike, Drejtoria për të ardhura si dhe disa ndërmarrje të tjera publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button