Rama: Sot nis punën dogana e re e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se, do të rrisë cilësinë e veprimtarisë së doganës nëpërmjet një trupe të re. Ndërsa, agjencia britanike për doganat ‘Crown Agents” sot ka nisur punën në terren. Këto deklarata Rama i ka bërë gjatë një takim në Doganën e Tiranës, ku u njoh nga afër me punën, por edhe me problematikën e këtij institucioni. Ai shtoi me tej se, sot nis punën dogana e re e Shqipërisë, e cila do të respektojë sipërmarrjen dhe do të ketë besim reciprok mes shtetit dhe biznesit.

“Sot nis punën një trup që ne e kemi kërkuar në shumë dëshirë dhe me shumë besim se do të rrisë në mënyrë shumë të ndjeshme qoftë me sipërmarrjen, qoftë për ajkën e shtetit, sigurinë, gjithë cilësinë e veprimtarisë së doganës. Siguria në marrëdhëniet e eksportuesve me shtetin është një çështje prioritare, siguria në marrëdhëniet e çdo sipërmarrje me çdo doganier është një çështje prioritare, dhe siguria e publikut se në arkën e shtetit ku dalin paratë për të financuar shkollat, spitalet, për të financuar rritjen e rrogave dhe pensioneve garantohet nga dogana e re e Shqipërisë. Them dogana e re se realisht jemi në procesin e një transformimi rrënjësor dhe historik, drejtimi i ri i doganave, ashtu si drejtimi i ri bazohet te filozofia e re se shteti është në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sipërmarrjes dhe se nuk janë presionet dhe gjobat që sipërmarrja i ka vuajtur në vijimësi, që do të rrisë të ardhurat dhe mirëqenien, por një marrëdhënie transparente dhe e ndershme e bazuar në besimin reciprok te ligji dhe Kushtetuta dhe të detyrimeve reciproke”, tha Rama.

Rama tha se, puna e doganave do të bazohet në një sistem të ri , duke shmangur në këtë mënyrë korrupsionin. Ai theksoi më tej se, nuk kanë qenë njerëzit që kanë korruptuar sistemin, por është sistemi i vjetër që i ka korruptuar njerëzit. “Nuk janë ata që janë duke punuar këtu që janë përgjegjësit e korrupsionit dhe për degjenerimin e doganave por është sistemi i ndërtuar  që e ka bërë të pamundur që të jetë ndryshe. Dhe është sistemi i ri që ne po ndërtojmë që do e bëjë të mundur që secili nga doganierët të jetë aty me dinjitet dhe t`i shërbejë me krenari vendit dhe familjes së tij duke hequr damkën e kërkonjësit të tërbuar”, tha Rama.

Kryeministri tha se, gjatë muajve në vijim të gjithë doganierët do t’i nënshtrohen një provimi për të kuptuar aftësitë dhe dijet e tyre. Gjithashtu shtoi se, do të ketë edhe riformatim të kapaciteteve  njerëzore të doganave dhe të tatimeve. “Në prill, maj dhe qershor të gjithë doganierët, të gjithë strukturat e doganave do t`i nënshtrohen këtij procesi të rritjes së kapacitetit njerëzor. Të rritjes së kapacitetit të dijes dhe i të gjithë praktikave dhe njëkohësisht mbi gjithë strukturën e re të qasjes dhe të sjelljes që kërkon dogana shqiptare bazuar në filozofinë e re. Në fund do t`i nënshtrohen një provimi. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe punonjësit e tatimeve dhe punonjësit e asgjësisë kombëtare të ushqimit. Sepse nuk është vetëm vullneti i mirë por edhe dija e mjaftueshme që na ndihmon të ndërtojmë marrëdhënie progresive me sipërmarrjen”, shtoi Rama./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button