Vrau vjehrrin e motrës, pasi i biri ia keqtrajtonte në SHBA

Prokuroria kërkon dënimin me 35 vjet burgim për vrasësin e 67-vjeçarit Zef Ejlli. Në pretencën e lexuar para trupës gjykuese, përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar shpalljen fajtor të Ermir Gjergjit për akuzën e vrasjes me paramendim për hakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa është kërkuar masa e dënimit me 1 vit heqje lirie për të pandehurin Nadir Shiroka, si përkrahës i autorit të krimit për kryerjen e veprës penale. Sipas hetimeve të organit të akuzës, autori nuk ka duruar dot më dhunën që ushtronte bashkëshorti ndaj motrës së tij dhe ka tentuar disa herë të komunikojë për këtë fakt me viktimën Ejlli. Autori ishte vënë në dijeni nga spitalet amerikane se e motra ishte shtruar disa herë me plagë në trup nga dhuna e djalit të viktimës.

I alarmuar dhe pa mundësi për të vepruar, pasi çifti jetonte në Amerikë, autori ka vajtur te banesa e viktimës për të biseduar, që t’i jepej një zgjidhje përfundimtare. Por nga hetimet ka rezultuar se viktima nuk pranonte të bisedonte me autorin. Herën e fundit që autori vihet në dijeni se e motra ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore është nisur në drejtim të banesës së 67-vjeçarit Zef Ejlli. Të dyja palët janë konfliktuar dhe përleshur fizikisht, kur autori ka humbur logjikën, ka qëlluar në drejtim të burrit, i cili ka humbur jetën në spital për shkak të plagëve të marra. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 23 tetor të vitit të kaluar rreth orës 17:20, në fshatin Gur i Zi, kur viktima bashkë me disa persona të tjerë, po loznin domino në një ambient. 

Rrëfimi i autorit 

“Zef Ejlli nuk më përfilli, më tha se nuk e çante kokën për motrën time”. Kështu nis dëshminë e tij para oficerëve të policisë autori i krimit ka sqaruar se nuk mund të përballonte faktin që djali i viktimës ushtronte herë pas here dhunë ndaj motrës së tij, e cila ka përfunduar në spital për shkak të plagëve. Problemi me vjehrrin e motrës ishte, pasi ai nuk donte të ndërhynte në këtë situatë, duke e ofenduar dhe injoruar autorin e krimit, i cili i kërkonte një zgjidhje për këtë situatë të rëndë. “Ka rreth dy vite që Arbeni me motrën time kanë pasur probleme, pasi Arbeni e ka rrahur dhe e ka dërguar në spital dy herë motrën time Albinën atje në Amerikë. Këto gjëra i kam mësuar nga motra ime Albina, kur kam komunikuar me telefon me të. Gjithashtu për këtë fakt unë kam komunikuar dhe personelin e Spitalit në Bafulo në SHBA. Për këto probleme kam komunikuar në telefon me kunatin tim Arben Ejlli, i cili më ka kërcënuar në telefon si mua dhe familjen time. Gjithashtu për këto probleme kam komunikuar dhe me Zef Ejlli që është babai i kunatit tim, i cili nuk më ka përfillur në bisedë për këto probleme, duke më thënë se nuk e çante kokën për në. Sot rreth orës 16:30, pasi e mësova se motra ime Albina ishte përsëri në Spital në Amerikë, unë jam nisur nga shtëpia ime me qëllim për t’u takuar me shtetasin Zef Ejlli, me vete kam marrë dhe një pistoletë të vogël, të cilën e kisha në shtëpi. Kur kam shkuar në fshatin Guri i Zi, e pikërisht para shtëpisë së shtetasit Mark Ejlli, që është kushëriri i Zef Ejllit, kam parë Zefin së bashku me Markun. Unë isha në makinën time tip “Mercedez-Benc” ngjyrë gri, me targa “AA 164 GB”. Kam ndaluar makinën dhe kam zbritur në tokë për të folur me ta për punën e motrës sime Albinës”.

Prokuroria: Ja çfarë bisedoi autori me viktimën 

“Unë i kam thënë Zefit: A i kemi diskutuar dhe një herë këto punë, çfarë janë këto gjëra që i ndodhin përsëri motrës time”. Zef  Ejlli më tha: “Mos fol me mua për këto punë, nuk e kam problem punën tane fare dhe më ka shtyrë me duar në gjoks”. Në këto momente unë kam rënë në gjunjë dhe ngritur përsëri në këmbë dhe kam nxjerrë pistoletën që kisha me vete. Mbaj mend se një fishek më ka shkrepur dhe e kam mbushur përsëri armën time e pastaj kam qëlluar një herë në trup, kur e kam goditur me armë Zefin, kam qenë trup me trup me të duke tentuar të më kapte pistoletën Zef Ejlli. Kur është rrëzuar përtokë Zefi unë kam hipur në makinën time dhe kam ikur në shtëpinë time, ku iu kam treguar familjes sime se kam gjuajtur me armë Zef Ejllin. Kam lënë makinën time në shtëpi dhe kam dalë në këmbë dhe në rrugën e Rrencit që shkon në Vau Dejës. Kur  kam dalë në rrugë pas pak minutash ka ardhur një fugon i vogël gjashtë vendesh i zi, i kam nxjerrë dorën dhe ka ndaluar. Kam hipur në këtë fugon ku ishte vetëm shoferi, i cili më tha se ku doja me shku dhe unë i thashë se do shkoj në Laç-Vau Dejës dhe kështu kemi vazhduar rrugën deri në fshatin Ganjollë ku aty kishte qenë policia. Na ndaloi dhe më pyetën nëse isha unë Ermir Gjergji dhe unë iu thashë se unë jam dhe kështu policia më ndaloi dhe më shoqëruan këtu në komisariat”. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button