Rritja e temperaturës, sjell sëmundje të shumta

Temperaturat e larta gjatë stinës së dimrit, të cilat arritën të jenë  20 gradë Celsius, kanë sjellë numër të madh të viruseve dhe shumica e qytetarëve ankohen për dhimbje të shpeshta koke.

Gjatë ditëve në vijim pritet ende të ketë rritje të temperaturës, e cila pritet të arrijë mbi 26 gradë Celsius, kurse mjekët bëjnë të ditur se ditëve të fundit ka shumë qytetarë të cilët ankohen për ftohje dhe dhimbje koke.

“Ndryshimi i shpeshtë i temperaturës, nga minus në plus 20 është shumë I dëmshëm dhe ndikon negativisht tek qytetarët. Shumica e qytetarëve ankohen për grithje të fytit, ftohje të lehtë por edhe dhimbje të eshtrave dhe nyejve. Meqenëse koha është e mirë unë propozoj shëtitje, aktivitete gjatë ditës, sepse secili ka nevojë për ajër të pastër jashtë qytetit”, tha Kristina Leskarovska, mjeke amë në poliklinikën “Bit Pazar”.

Po ashtu edhe mjeku i ndihmës së shpejtë pranë Spitalit të Tetovës, Gëzim Nuredini bën të ditur se numri i pacientëve është shtuar dukshëm.

“Numri i qytetarëve të cilët ankohen për dhimbje koke, dhimbje muskujsh, grip, dhimbje qafe është shtuar dukshëm, e gjithë kjo si pasojë e ndryshimit të temperaturave në një periudhë kohore shumë të shkurtër. Për këtë arsye organizmi nuk mund të adaptohet aq shpejt në ndryshimin e temperaturave dhe vjen deri te humbja e imunitetit, sëmurja nga viruse të ndryshme, rritje e tempreaturës, rritje e shtypjes së gjakut etj”, tha Nuredini.

Mjekët apelojnë që fëmijët dhe të sëmurit kronik të vishen ashtu siç është koha të mos e teprojnë të vishen trash apo shumë hollë, shkaku i ndryshimit të temperaturave të mëngjesit dhe të ditës. Kardiologët thonë  se ndryshimi i ajrit mund të ndikojë në shtypjen dhe të rrit numrin e infarkteve. 

“Pranvera është një stinë në të cilët paraqiten shumë raste të pacientëve me tension të lartë, shkaku i ndryshimeve atmosferike. Kjo gjë sjell edhe rritjen e numrit të personave që pësojnë infarkt.  Ndërkaq gjatë pesë muajve të fundit dukshëm është rritur numri i të rinjve që pësojnë infarkte”, tha Dejan Kovaçeviq, kardiolog ne kliniken Sistina në Shkup.

Gjithashtu apelohet që qytetarët të flenë aq sa duhet, të konsumojnë vitamine si dhe të largojnë stresin sa më shumë që është e mundur.

Lajme të ngjashme

Back to top button