Mirë se erdhët në “Qytetin e vdekjes”

Kaluan dy vjet nga dita e lëshimit në përdorim të ujësjellësit të qytetit, por qyteza në lindje të vendit mbeti qyteti me më shumë të sëmurë dhe me më shumë persona të prekur nga kanceri. Numri i tyre dyfishohet çdo vit, ndërsa banorët edhe më tej i mundojnë dyshimet lidhur me ujin e pijshëm, të cilin e konsumojnë për gatimin e ushqimit, për t’u larë dhe për larjen e rrobave.

Njëzetë e dy vjeçari Aleksandar R. nga qyteti i Shën Nikollës ka humbur të ëmën dhe të atin dhe i vetëm është duke kaluar labirintet e jetës. Më 27 nëntor kaluan tre vjet nga vdekja e të ëmës, e cila vuajti nga kanceri i gjirit, sëmundje kjo e cila më vonë preku edhe mëlçinë e saj.

Ai edhe sot e kësaj dite dyshon se uji që e përdorin ai dhe bashkëqytetarët e tij është jocilësor.

“Nëna ime rastësisht shkoi për vizitë tek mjeku. Në këtë mënyrë ajo zbuloi se vuante nga kanceri. Kanceri fillimisht preku një nga gjinjtë e saj, të cilin më vonë ia mënjanuan, por pas një kohe të caktuar sëmundja preku edhe mëlçinë. Ajo vuajti një vit e gjysmë, ndërsa unë dyshojë që ajo të jetë sëmurur për shkak të ujit që kemi konsumuar. Askush nuk mund të më bind se nuk është ashtu”, thotë Aleksandri.

Ai gjithashtu shprehet se nuk e përdor më ujin e rrjetit të qytetit, por furnizohet me ujin e një pusi, i cili është i kontrolluar. Ai ujin e qytetit e përdor vetëm për t’u larë dhe për larjen e rrobave.

Sipas Aleksandrit, nëse uji do të kontrollohet edhe njëherë do të vërtetohet se ai është jocilësor. Aleksandri nuk është i vetmi që ndan këtë mendim në qytetin e Shën Nikollës.

Banorët e shën nikollës frikësohen nga kanceri

Qyteti i Shën Nikollës gjendet në pjesën lindore të Maqedonisë dhe ka rreth pesëmbëdhjetë mijë banorë. Për të vërtetuar dyshimet e banorëve ne vizituam këtë qytet.

Me mbërritjen në qytetin e Shën Nikollës mundëm të shohim gjallërinë në qendrën e tij. Banorët e kësaj qyteze ishin grumbulluar në sheshin e qytetit dhe bisedonin, rrëfenin ditën e punës dhe hidhnin sytë drejt nesh sepse neve ishim të panjohur për to. Me vetë faktin që bëhet fjalë për një qytezë të vogël, banorët njihen mirë me njëri-tjetrin.

Në qendrën e qytetit mund të vërehej çezma në të cilën ishte vendosur paralajmërimi “Uji nuk është i pijshëm”, i shkruar me germa të mëdha. Në afërsi të çezmës ishte vendosur një dërrasë me nekrologë, në të cilën ishin shënuar emrat e qindra të rinjve dhe të moshuarve që kanë ndërruar jetë.

Pjesa më e madhe e banorëve me të cilët biseduam dyshojnë se janë duke pirë ujë kancerogjen, që përmban trikalometane, por askush nuk guxon të flas publikisht për këtë gjë.

“Ju tregojmë qëndrimin tonë. Unë e di që ujin që e konsumojmë nuk është i shëndetshëm dhe se ai është fajtori kryesor i sëmundjeve maligne. Por, unë ju lus të mos e publikoni këtë që ju them ose të paktën mos e shkruani emrin dhe mbiemrin tim”, thotë një banor i Shën Nikollës i moshës 46-vjeçe.

Pas vizitës në qendrën e qytetit, ne u nisëm drejt kishës “Shën Nikolla”. Atje na shpjeguan se nga viti në vit është duke u rritur numri i varrimeve, për dallim nga numri i pagëzimeve.
Regjistri i evidencave është një provë e gjallë për rritjen e mortalitetit në këtë qytet. Sipas këtyre evidencave numri i vdekjeve ka shënuar rekordin, duke arritur në 200 deri në 300 vdekje për një vit.

“Vjet u regjistruan mbi 200 varrime dhe rreth 130 pagëzime. Këto shifra nga viti në vit janë duke u bërë gjithnjë e më të tmerrshme”, thonë në kishën “Shën Nikolla”.

Ndërkohë kaluan katër vjet nga dita kur uji i pijshëm në qytetin e Shën Nikollës fitoi “aminin” për t’u përdorur. Ndalesa për përdorimin e tij u tërhoq më 6 shkurt të vitit 2010. Atëherë banorët e Shën Nikollës, me nga një gotë ujë, ngritën dolli për ujin cilësor dhe të kontrolluar.
Ky ujë rreth një dekadë ishte i ndaluar për t’u konsumuar, ndërsa banorët e Shën Nikollës rreth tetë vjet me radhë përdornin ujin e cisternave. Kjo praktikë vazhdoi deri në vitin 2010, kur pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së preu shiritin e kuq të rrjetit të qytetit dhe lejoi konsumimin e ujit.

Në atë kohë kryetar i komunës ishte z.Robert Gjorgjiev nga radhët e partisë VMRO-DPMNE. Me hedhjen e fletushkave në të gjithë qytetin, pushteti lokal u lavdërua se gjeti zgjidhje për një nga problemet më të mëdha të qytetit të Shën Nikollës.

Problemet me ujin e pijshëm kanë nisur që në vitin 2003, si rezultat të pranisë së materieve kancerogjene, trikalometaneve dhe pranisë së madhe të materieve kimike të ndaluara, që kanë qenë mbi maksimumin e lejuar.

Uji i rrjetit të qytetit atëherë u ndalua për konsum nga ana e Entit republikan të mbrojtjes shëndetësore, si rezultat të ndotjes kimike dhe bakteriologjike. Mostrat e ujit atëherë u dërguan për kontroll në Beograd.

Projekti kapital i VMRO-DPMNE-së është një nga njëqind investimet më të mira. Kjo parti midis arritjeve numëron edhe ujin “e pastër dhe cilësor”, të cilin për momentin e konsumojnë banorët e qytetit të Shën Nikollës.

Vite më vonë banorët e këtij qyteti vazhdojnë të dyshojnë lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm që e përdorin edhe për gatimin e ushqimit, me të cilin lahen dhe lajnë rrobat.

Rriten rastet e kancerit, institucionet shëndetësore heshtin

„Kanceri bën kërdinë në qytetin e Shën Nikollës“, thonë banorët e kësaj qyteze, e cila viteve të fundit ka marrë emrin “Qyteti i vdekjes”. Ekzistojnë disa rrugica në të cilat nuk ka shtëpi dhe familje pa të paktën një të vdekur si rezultat të kancerit, pa dallim nëse bëhet fjalë për kancerin e mitrës, gjirit, mëlçisë ose zorrës së trashë.

Edhe shifrat zyrtare tregojnë gjendjen e rëndë shëndetësore të banorëve të kësaj qyteze. Sipas të dhënave statistikore, çdo vit mesatarisht regjistrohen rreth 100 raste të reja kanceri, 60 për qind të të cilave janë femra. Në vitin 2008 kanceri ka prekur 98 banorë, ndërsa 19 prej tyre kanë ndërruar jetë.

Në vitin 2009 ky numër u rrit në 109 pacientë, 26 prej të cilëve ndërruan jetë. Në vitin 2010, deri në muajin gisht të këtij viti, u regjistruan 118 raste të reja kanceri, ndërsa 14 pacientë ndërruan jetë. Tre viteve të fundit numri i të prekurve me kancer është rritur për 100 për qind, por shqetëson fakti që numri i të sëmurëve dhe të vdekurve është duke u fshehur gjithnjë e më shumë.

Në kohën e intensifikimit të përditshëm të sëmundjes, institucionet shëndetësore para një viti e gjysmë premtuan organizimin e kontrolleve përkatëse në të gjitha qytetet, por këto kontrolle deri më sot nuk filluan të realizohen dhe gjithçka mbeti në kuadër të fushatave promotive.
“Është fakt që Shën Nikolla është qyteti me numër më të madh vdekjesh në Maqedoni, si rezultat të llojeve të ndryshme të kancerit. Me pilot-projektin me të cilin duhen zhvilluar kontrolle përkatëse është përfshirë edhe qyteti ynë, ndërsa Qeveria çdo vit është duke paralajmëruar programe përkatëse për zhvillimin e kontrolleve. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete”, sqaron një banore e qytetit të Shën Nikollës, e moshës 35 vjeçe.

Ministri i shëndetësisë z. Nikolla Todorov që para dy vitesh paralajmëroi se nga një prilli Ministria e Shëndetësisë do të fillonte organizimin e kontrolleve lidhur me zbulimin e kancerit të mitrës, me të cilat gjatë tre viteve të ardhshme është paraparë të kontrollohen të gjitha femrat e moshës 24-35 vjeçe.

Me raportin e fundit të Entit shtetëror të revizionit janë konfirmuar pjesa më e madhe e dyshimeve lidhur me cilësinë e ujit që konsumohet nga ana e banorëve të qytetit të Shën Nikollës. Në raportin e revizorëve shtetërorë është gjetur edhe konstatimi se uji i pijshëm që nga viti 2010 deri më 20 janar të vitit 2012 nuk ka fituar leje përdorimi nga ana e institucioneve shtetërore.

E gjithë kjo nënkupton që lëshimi në përdorim i ujit të lumit Zletovica është bërë në mënyrë ilegale dhe nuk ekziston leje për konsumimin e përkohshëm të ujit.

“Në periudha të caktuara cilësia e ujit nuk i plotëson kriteret e parapara me aktet nënligjore dhe uji klasifikohet në kategorinë e tretë dhe të katërt, në vend që të klasifikohet në kategorinë e dytë. Gjithashtu nuk janë zhvilluar kontrolle teknike dhe nuk është siguruar leje përdorimi”, thuhet në raportin e Entit shtetëror të revizionit, konstatime këto për të cilat nuk dëgjuam asnjë reagim.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk dhanë përgjigje lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana e BIRN. Kjo organizatë iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë për të vërtetuar nëse institucionet kanë kontrolluar ujin e pijshëm në qytetin e Shën Nikollës që nga lëshimi i saj në përdorim dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse do të konstatohet se uji është jocilësor?

Këto pyetje iu drejtuan shefave të kabineti të ministrit Todorov që para një muaj, por deri më sot askush nuk morri guximin për t’iu përgjigjur telefonatave ose për t’u përgjigjur me postë elektronike.

Uji në Shën Nikollë është si ajri i dikurshëm në Veles

Përgjigje për këtë çështje nuk mund të fitojnë as deputetët. I tillë është rasti i deputetes së partisë opozitare LSDM, Stanka Anastasova, e cila me profesion është mjeke. Ajo me dokumentet në dorë dhe me pyetjet e deputetëve bëri përpjekje për të fituar përgjigjen e pyetjes nëse banorët e Shën Nikollës pinë ujë të ndotur ose ujë cilësor.

Anstasova nga foltorja e Kuvendit këtë pyetje shpesh e ka drejtuar në adresën e kryeministrit z.Nikolla Gruevski dhe në atë të ish ministrit të shëndetësisë z.Bujar Osmani. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite ajo nuk fitoi asnjë përgjigje. Sot dyshimet e saj janë rritur akoma më shumë.
“Cilat janë institucionet relevante që pezulluan ndalesën e di vetëm pushteti lokal. Në kopjen e dokumentit me të cilin u lëshua në përdorim përmendet një objekt – stacioni i filtrimit. Në përdorim është lëshuar ky stacion dhe jo uji. Njëri nga stacionet e filtrimit nga modeli i kombinuar i furnizimit me ujë të qytetit të Shën Nikollës lëshohet në përdorim dy-tre herë, por ne akoma nuk kemi ujë të pijshëm cilësor. Ndërkaq, zgjidhja tjetër alternative as që përmendet”, tha Anastasova.

Ajo gjithashtu konfirmon se asnjë nga institucionet shtetërore nën kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka lëshuar dokument lidhur me sigurinë e ujit me të cilin do të vërtetohej se uji nuk është i dëmshëm për shëndetin e banorëve dhe se mund të përdoret për t’u pirë dhe për gatimin e ushqimeve.

Tani për tani me ujin e hidrosistemit “Zletovica” furnizohen vetëm banorët e qytetit të Shën Nikollës, ndërsa në një të ardhme të afërt në këtë sistem do të përfshihen edhe 120 mijë banorë të tjerë ose pesë komuna të Rajonit Verilindor, më saktësisht Kratova, Probishtipi, Shtipi, Karbinci dhe Lozova.

“A do të lejojmë që edhe banorët e qyteteve të tjera të pinë ujë jocilësor, që mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e tyre dhe ato të fillojnë të vdesin në çdo hap si rezultat të sëmundjeve maligne? Uji në Shën Nikollë mund të barazohet me ajrin e qytetit të Velesit në kohën kur funksiononte shkritorja e qytetit. Uji mund të shkaktojë akoma më shumë sëmundje maligne dhe të rezultojë me lindjen e fëmijëve me çrregullime”, tha doktor Anastasova.

Studimi japonez për ndotjen me metale të rënda mbahet në sirtar

Dyshimet lidhur me ndotjen e ujit janë vërtetuar me studimin japonez me titullin “Për zhvillimin e kapaciteteve të administrimit të ndotjes së tokës lidhur me punën e minierave në Maqedoni”, një studim ky që akoma nuk ka dalë në opinion.

Ky studim pesë vjet më vonë vazhdon të mbahet në sirtarët e institucioneve dhe mbahet larg opinionit, megjithëse për të njëjtin u shpenzuan shumë mjete financiare.

Studimi në fjalë është zhvilluar për nevojat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ekonomisë së Ujërave nga ana e Agjencisë japoneze të bashkëpunimit ndërkombëtar.

BIRN ka siguruar studimin në fjalë dhe në të janë shënuar saktë rajonet dhe toka rreth hidrosistemit “Zletovica” që përmbajnë metale të rënda, siç janë kadiumi, arseni, plumbi, mangani, nikeli, bakri dhe zinku, metale këto të cilat sipas analizave mjekësore janë tepër toksike.

Pushteti gjatë gjithë kohës është i vetëdijshëm se uji sipërfaqësor dhe toka e rajonit që mbulon hidrosistemin “Zletovica” përmbajnë metale të rënda, të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
“Përse pesë vjet me radhë fshihen nga opinioni të dhënat e studimit japonez? Ky është sinqeriteti i Qeverisë ndaj popullit të vetë? Tani qartësohet në masë të madhe tragjedia që i ndodh qytetit të Shën Nikollës, qytet ky i cili disa vite me radhë gjendet në vendin e parë në Maqedoni për numrin e banorëve të prekur me sëmundjet maligne”, tha deputetja Stanka Anastasovska.

Sipas të dhënave që mund të gjenden në studimin japonez, për disa nga metalet është vërtetuar lidhja e ndotjes me tokën jopjellore dhe minierat e vjetra.

Një pjesë e radiologëve sqarojnë se nëse sëmundjet shkaktohen si rezultat të ndikimit të ambientit, zakonisht ndryshimet manifestohen disa vite më vonë, me ndryshime tek njeriu.
“Shembull i ekspozimit në rrezatimin me jone, si një nga faktorët e kancerit, është leukemia. Kjo sëmundje shfaqet gjatë dhjetë viteve të para pas ekspozimit në rrezatimin me jone, ndërsa gjatë njëzetë viteve të para shfaqet edhe kanceri. Bëhet fjalë për parametra të ngjashme që do të thotë se duhet kohë që qeliza të ndryshojë dhe të transformohet në qelizë maligne”, thotë një radiolog që ka insistuar të mbetet anonim.

Gjithashtu, ndryshime shfaqen edhe në lëkurë, e cila preket me infeksionet dermatovenerologjike dhe me shumë probleme gjinekologjike. Banorët e Shën Nikollës dyshojnë se e gjithë kjo ka të bëj me ujin e pijshëm, të cilin e përdorin edhe për larje. 

Qeveria ka fituar rreth tre milionë euro nga Japonia për sanimin e tokës jopjellore dhe minierave të vjetra, megjithatë sanimi i tyre akoma nuk është realizuar.

BIRN disa herë me radhë ka bërë përpjekje për të kontaktuar me kryetarin e ri të Komunës së Shën Nikollës, i cili vjen nga radhët e partisë VMRO-DPMNE, z.Zoran Tasev, për të biseduar lidhur me këtë temë, që edhe sot e kësaj dite i mundon banorët e këtij qyteti. Megjithatë, nuk arritëm të kontaktojmë me kreun e qytetit.

Në Komunë konfirmuan se ai ka takime me qytetarët vetëm të mërkurave. Sipas Ligjit të qasjes së lirë në informatat, ne dërguam pyetjet tona, por deri më tani nuk kemi fituar një përgjigje.

Në kohën kur institucionet heshtin, qyteti vazhdon të jetojë me frikën e sëmundjes vdekjeprurëse. Aleksandri nga qyteti i Shën Nikollës nuk mund të pranojë faktin e humbjes së prindërve të tij në moshë të re dhe njëkohësisht frikësohet për shëndetin e tij. Ai shpreson se shteti më në fund do të angazhohet më seriozisht lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, duke shpëtuar shumë jetë.

Teksti është punuar nga rrjeti hulumtues i gazetarisë, BIRN

Lajme të ngjashme

Back to top button