Bejta apel mërgatës, nuk na duhet përçarje

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta bashkë me Kordinatori e Shtabit Zgjedhor të BDI-së për Austri, Xhevat Xhemaili realizuan disa takime me bashkatdhetarët tanë në Ternitz, ku mbajti tubim në lokalet e Shoqatës Kulturore Sportive “Mërgimi”, takime në Selinë e Shoqatës Kulturore “Iliria” në Xhaminë në Ternitz dhe në Vjenë. 

“Ne kemi ardhur kësaj radhe këtu për interesin kombëtarë dhe me qëllim që të mos na përsëritet ajo që na ndodhi në vitin 2011. Bashkimi Demokratik për Integrim shumë herët i morri masat dhe u organizua për zgjedhjet për deputet në diasporë. E caktoi kandidatin e mundshëm për Kontinentin e Evropës,  z. Ismail Belulin, ne Amerikë të gjitha shoqatat shqiptare janë bashkuar dhe kanë dalë me një kandidat të përbashkët. Besoj dhe mundësitë në këto dy kontinente janë reale nëse ne jemi aktiv dhe do të zgjohemi nga gjumi që këto dy deputet të këtyre dy kontinenteve ti përfaqësojnë shqiptarët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për ne shqiptarët dhe këto zgjedhje i kemi kërkuar ne për shkak se proceset nuk ecnin ashtu siç duhet. Ne kërkojmë që proceset me karakter nacional të ecin përpara. Qëllimin e kemi pasur të nxjerrim një kandidat që të mos bëjmë përçarje në mesin e qytetarëve të cilët punojnë nëpër shtetet e ndryshme të Evropës. Shqiptarët kësaj radhe janë mirë të organizuar dhe diasporës shqiptare i duhet të bëje sa më shumë aplikime dhe më pas të njëjtit të dalin dhe të votojnë me 26 Prill”, tha nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta. 

Koordinatori Xhevat Xhemaili tha se zgjedhja e deputetit nga diaspora ka një dimension dhe karakter kombëtar për arsye se në legjislacionin e vitit 2011 në diasporë në Amerikë, në Australi dhe në Evropë fitoi VMRO-ja, në Austri deputeti i BDI-së ka pasur vetëm dy vota. 

“E kam konsideruar si turp tonin dhe e kam angazhuar si ndërgjegje se pse nuk jemi angazhuar që herën e kaluar ta fitojmë, sepse mundësitë teknike dhe mundësitë njerëzore i kemi që ti fitojmë deputetët. Ne kësaj radhe kemi ardhur që t’ju kërkojmë mbështetjen e fuqishme për kandidatin Ismail Belulin që kësaj radhe nga Evropa ta kemi deputetin e sigurt”, tha koordinatori Xhemaili. 

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta ditë më parë realizoi takim edhe me bashkatdhetarët tanë në Xhaminë e Bashkësisë Islame Shqiptare në Vjenë.

Lajme të ngjashme

Back to top button