Do ti paguajmë 338 projektet e mbetura të Qeverisë

Maqedonia, një vend i vogël multietnik i Ballkanit që aspiron BE-në është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, motivi kryesor i të cilave pritet të jetë sërish zgjedhja se cila do të jetë sakrifica më e madhe: ne apo ekonomia. Aty ku çështja e emrit, megjithëse abstrakte në vete, është shndërruar në neo-patriotizëm që definon këtë vend, politikat e tij dhe ardhmërinë ekonomike dhe shoqërore. Aty ku alternativat që ofrohen për të përmirësuar mirëqenien e të gjithëve janë të pakta dhe ku zgjedhjet duket sikur do të jenë konfirmimi i konfuzitetit dhe banalitetit ekonomik dhe politik të viteve të fundit.

Po lexoja diku që në vitin 1992 James Carville, personi që kishte qenë në krye të kampanjës presidenciale të Bill Clintonit krijoi shprehjen It’s the economy, stupid! e cila shumë shpejt u bë sllogani i garës elektorale të cilën më pas edhe e fitoi Clintoni. Qëllimi i slloganit ishte që të potencojë rëndësinë e ekonomisë në shoqërinë amerikane, në një kohë kur SHBA-të gëzonin monopolin e fuqisë ushtarake dhe politike në botë. Sot kjo shprehje merr kuptimin e vet të plotë kur flasim për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vendin tonë. Në një kohë kur rritja ekonomike është ngadalësuar për së tepërmi, kur deficiti buxhetor dhe borxhi publik po ngërçet ekonominë vendase dhe kur niveli I papunësisë po maskohet në mënyrë false me punësime parazgjedhore. 

Megjithëse akoma nuk kanë filluar, po mundohem të parashikoj skenarin e kampanjës parazgjedhore të partive politike të vendit, qoftë ato që kërkojnë të mbajnë pushtetin, qoftë ato të opozitës. Skenari të cilin e kam në mendje është tepër banal, me të njëjtën retorikë me të cilën kemi lodhur timpanët këto vitet e fundit: I mbushur me një pseudopatriotizëm të të gjitha palëve, të cilët të trembur nga dialogu dhe debati qenësor dhe i prekshëm ekonomik krijojnë situata dhe skenare konflikti ndëretnik dhe huti në politikën e jashtme. 

Rendi i ditës nëpër debate dhe tubime partiako-militante do të jetë zgjedhja e çështjes së emrit në taborin maqedonas dhe çështjet ekzistenciale dhe prezervative kombëtare në taborin shqiptar. Të gjitha këto do të shkaktojnë efekte marramendjeje në elektorat dhe rrjedhimisht të vjellura masive. Një kampanjë e dështuar parazgjedhore në definicion është ajo e cila nuk merret me debate reale dhe në këtë mënyrë pengon krijimin e  dinamikës së nevojshme për të krijuar ide zhvillimore. Çdo gjë tjetër, do të ishte një ofendim për inteligjencën e secilit prej nesh që nuk është analfabet.

Përkundrazi, debati politik duhet të përqendrohet në çështjet ekonomike që e presin këtë vend në 4 vitet e qeverisjes së ardhshme. Kryesisht me çështjet fiskale sepse rëndesa e buxheteve të ardhshme nga borxhet e krijuara në 6 vitet e fundit me projekte jo-zhvillimore do të jetë e madhe dhe ndoshta e papërballueshme për resurset e një ekonomie si ajo e Maqedonisë. Të zgjedhurve tanë – kushdoqofshin ato – do t’ju duhet të përpilojnë dhe menaxhojnë buxhetin e vitit 2015 në të cilin pika më vluese do të jetë fillimi i kthimit të krediteve të marra në vitet 2008-2011, gjë që do të rëndojë thellë buxhetin dhe domosdoshmërish xhepin tonë.

Me parashikimin e një skenari të tillë, kjo kampanjë elektorale duhet të parapërgatitë terrenin për periudhën e vështirë që do t’i pasojë ato, e them këtë pa dashur të paragjykoj fituesit. Nëpërmjet mesazheve që transmetojnë në publik, kampanjëbërësit duhet të gjejnë mënyrat më të buta për të sensibilizuar popullin që sakrificat të cilat do të kërkohen nga të gjithë ne do të jenë të mëdha në mënyrë që të parandalojmë kolapsin dhe bankrotin. Ideja e taksave të rritura rrallëherë sjell vota, por doemos duhet diskutuar, të paktën për të matur pulsin e zgjedhësve. Megjithëse rritja e taksave do të kishte qenë vetëm njëra nga sakrificat të cilat do të na rrahin kurrizin! Qeveria e ardhshme do të duhet të merret me shkurtime buxhetore, edhe atë në shkurtimin e numrit të të punësuarve në administratën e shtetit, uljen e pensioneve që detyrimisht janë barrë buxhetore dhe sigurisht edhe ato “338 projekte” që i kanë mbetur kësaj qeverie për të realizuar.

Është koha e fundit që politika të mbajë përgjegjësi për elektoratin dhe t’ia pranojë të vërtetën e zymtësisë së kësaj ekonomie dhe të pranojnë që lëmshin e kanë bërë ata. Ajo që për mua është e rëndësishme në këtë fushatë është që politikanët të dinë të tregojnë fuqi, ide dhe dëshirë për të ridrejtuar politikat ekonomiko-sociale. Në këtë mënyrë do të zbuteshin efektet e trazirave sociale që detyrimisht pasojnë shkurtimet buxhetore. 

Fundja nëse duam të merremi me pseudopatriotizëm dhe etno-nacionalizëm pse të mos e mendojmë këtë variantë: nëse ndodh kolapsi ekonomik dhe fiskal, nuk do të ketë fare rëndësi as identiteti i vërtetë i Lekës së Madh, as dimensionet e flamurit shqiptar krahas atij maqedonas. Me një bark bosh është e vështirë t’i mendosh këto çështje “madhore”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button