Afera ‘AKTOR’ : Kush i ka kontrolluar paratë?

Ministri për transport dhe lidhje thotë se punët ndërtimore për ndërtimin e autostradës “Demir Kapi – Smokvicë” zhvillohen me tempon e zakonshme. Një pjesë e kreditorëve ndërkombëtarë paralajmëruan inkuadrim në hetimin për rastin “Aktor”. Njohësit e problemit nuk e përjashtojnë mundësinë për ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve deri në qartësimin përfundimtar të rastit. Prokurori publik rapi procedurë parapenale, me ç’rast e bllokoi pronën dhe xhiro-llogarinë e dy firmave që janë të lidhura me rastin. A do ta mbijetojë aferën ndërtimi i aksit rrugor prej rreth 29 kilometrash përgjatë korridorit 10?

Kush dhe si ka qenë i angazhuar për kontrollin e parave?
Në konstruksionin financiar për projektin “Demir Kapi – Smokvicë” janë përfshirë tre burime të huaja financiare: Banka investuese evropiane morën pjesë me 130 milionë euro, Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim me 107 milionë euro dhe Komisioni Evropian i cili nëpërmjet komponentës së tretë të IPA-së siguroi 45 milionë euro në formë të grantit. Sipas njohësve, përgjegjësia për harxhimin e grantit evropian, prej ku deri tani janë tërhequr një pjesë e parave, është në kompetencë të autoriteteve maqedonase.

“Që të shmanget rreziku nga humbja e grantit, një pjesë e parave, që pas nënshkrimit të grantit me BE-në para dy vitesh u transferuan në llogarinë tonë. Bëhet fjalë për rreth 20 milionë euro nga granti i përgjithshëm. Sipas rregullave për shfrytëzimin e këtyre parave, kompetenca për kontrollin e parave është decentralizuar, gjegjësisht atë e kanë vetë autoritetet shtetërore të vendit”, komentojnë njohësit e problemit për “Portalb”-in.

Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe zyra e Bashkimit Evropian në vend.
“Qarkullimi i parave në vend është çështje që i takon autoriteteve shtetërore”, theksuan në Zyrën e Bashkimit Evropian në Maqedoni.

Njëri nga kreditorët, Banka investuese evropiane njoftoi se pretendimet për mashtrim dhe korrupsion në lidhje me këtë rast janë përcjellë në Inspektoratin e përgjithshëm të BIE-së. 
Nga qeveria thonë se projekti është duke u realizuar në terren.

“Në këtë moment nuk ka ndërprerje të punëve ndërtimore në autostradë. Situata ndiqet, organet relevante veprojnë në mënyrë përkatëse”, deklaroi ministri për transport, Mile Janakieski.

Edhe pse tani për tani kreditorët ndërkombëtarë rastin e komentojnë të përmbajtur, ekspertë të financave ndërkombëtare nuk e përjashtojnë mundësinë që në këtë situatë të vijë deri te ndërprerja e përkohshme deri në përfundimin e rastit.

“Institucionet ndërkombëtare financiare kanë procedura të tyre interne për verifikimin e këtyre rasteve. Tani për tani, kryesisht janë tërhequr dhe janë shfrytëzuar para nga granti evropian, që u nënshkrua në dhjetor të vitit 2012, momenti i fundit që të tërhiqen paratë. Zakonisht bankat – kreditore në rast të problematizimit, nuk i ndërpresin kontratat menjëherë, por nuk përjashtohet mundësia për ngrirjen e parave deri në përfundimin e rastit, gjegjësisht deri në zgjidhjen institucionale të rastit”, komentojnë njohësit e problematikës. 

Sipas atyre që merren me biznesin e ndërtimtarisë, hapen edhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me angazhimin e mëtutjeshëm të kompanive vendore – nënkontraktuese të projektit, në qoftë ai problematizohet. Sipase menaxherëve nga biznesi i ndërtimit, zakonisht, në këtë sektor pagesat nuk bëhen në formë të avanseve, gjegjësisht kompanitë paguhen pasi të përfundojë një pjesë e punës. Deri tani kontraktuesit kryesor i janë paguar 35 milionë euro. Pasi prokuroria bëri me dije se janë bllokuar prona dhe llogaritë e dy firmave që janë të lidhura me rastin, sipas njohësve të rrethanave nga sektori i ndërtimit, hapen dy çështje, e para se a varet pagesa që duhet t’i bëhet kontraktuesit nga Maqedonia, nga firmat të cilave u është bllokuar prona dhe llogaritë dhe e dyta, a është paguar puna që është kryer deri tani në terren.

Ekspertët nga fusha e larjes së parave komentojnë se pasi Prokuroria publike hapi procedurë parapenale, ndërsa hetimin e konfirmoi edhe Drejtoria për zbulim financiar, duhet sa më shpejtë të shpallet rezultati i hetimit, që të hiqen ose të vërtetohen dyshimet për shpenzimet e parave për qëllime të tjera. Ekspertët për “Portalb”-in theksojnë se institucionet kompetente, në këtë rast, Drejtoria për zbulim financiar ka marrë informata për transaksionet më të larta se 15.000 ?uro, vetëm tre ditë pas realizimit të tyre.

“Vetë informata për të gjitha këto transaksione është fshehtësi bankare. Ekziston dyshim potencial për keqpërdorim të një pjese të parave të dedikuara për ndërtimin e autostradës. Megjithatë, sipas rregullativës së Maqedonisë, tërheqja e parave nga llogaria bankare, gjegjësisht e parave nga banka, konsiderohet se është ligjore. Nuk janë të dyshimta shumat që janë tërhequr, për shkak se ligjet lejojnë në kesh të tërhiqen edhe shuma më të larta se 10 mijë euro. Nga ana tjetër, për çdo transaksion që është më i lartë se 15.000 euro, bankierët janë të obliguar që në afat prej tre ditësh ta njoftojnë Drejtorinë për zbulim financiar, që do të thotë se ajo menjëherë disponon me informatë për transaksionet e këtilla, por kjo nuk do të thotë se institucioni menjëherë ka ngritur edhe hetim të mundshëm”, komentojnë ekspertët nga fusha e parandalimit të larjes së parave.

Sipas LSDM-së opozitare e cila publikoi informata për këtë rast, tërheqjet e para të parave-kesh janë regjistruar në maj, qershor dhe korrik. Zëdhënësi i partisë, Petre Shilegov se hetimi ka filluar, por pyeti me urdhër të kujt ai është ndaluar. Nga Drejtoria për zbulim financiar njoftuan se hetimi ka filluar më 11 nëntor, ndërsa të njëjtën ditë, kur u dërgua njoftimi për publikun, në orët e pasdites, lënda është dërguar edhe në adresë të Prokurorit publik.

Nga kontraktuesi kryesor i projektit, firma greke “Aktor“, dolën me komunikatë me shkrim ku thonë se firma ka punuar në pëlqim me rregullativën vendore dhe atë të huaj.

“Kjo do të thotë se çdo transaksion, duke i përfshirë edhe rrogat dhe kompensimet e të punësuarve nga Greqia,  me kontrata të rregulluara dhe  fatura, të gjitha tatimet janë llogaritur dhe janë paguar dhe më në fund ato janë bërë nëpërmjet sistemit bankar në përputhje me Ligjin, thuhet njoftim. Kompania i vlerëson si të pabaza dhe të paarsyeshme të gjitha shpalljet në publik në lidhje me projektin”, shkruante në njoftimin e firmës greke Aktor.

Ajo që tani pritet është reagimi i kreditorëve ndërkombëtarë, të cilët Maqedonisë i kanë dhënë hua prej 265 milionë euro për ndërtimin e aksit rrugor, e cila si pjesë e Korridorit 10 ka rëndësi infrastrukturore ndërkombëtare.

Projekti ndërtimor realizohet në një terren jashtëzakonisht të rëndë, ku duhet të hapet autostrada me katër korsi, pesë mbikalime, shtatë nënkalim dhe dy tunele. Poashtu duhet të ndërtohen edhe 15 kilometra rrugë anësore që do të lidhen me autostradën.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button