Stratfor: Rusia dëshiron të rrisë ndikimin në Ballkan duke shfrytëzuar tensionet

Kompania amerikane e inteligjencës Stratfor (Strategic Forecast) ka paralajmëruar se Rusia ka kthyer fokusin në Ballkan dhe se dëshiron të rrisë ndikimin në rajon duke shfrytëzuar tensionet në shtetet e Ballkanit, vend i cili, sipas Stratfor, paraqet një përzierje etnishë, religjionesh dhe lëvizjesh politike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stratfor në faqen e saj të internetit ka publikuar një analizë me titullin “Rusia ngacmon folenë e grerëzave”, në të cilën ka parashikuar se Rusia do të vazhdojë të përpiqet t’i shfrytëzojë përçarjet në Ballkanin Perëndimor, i cili, sipas analizës, ka qenë tradicionalisht teatër i matjes së forcave për shumë fuqi botërore, dhe se influenca e Rusisë do të vazhdojë të përhapet në vendet “më turbulente të Ballkanit”, përfshirë veriun e Kosovës, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Sipas Stratfor, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik la Rusinë pa pjesën e saj në tranzicionin e shteteve të ish-Jugosllavisë, ndërsa Perëndimi ka dominuar marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë të shteteve të Ballkanit që atëherë. Megjithatë, siç thuhet në analizë, Rusia ka kthyer sërish fokusin në rajon.

“Megjithatë, Rusia ende ruajti pikëmbështetjen e saj në Ballkan. Dhe sot, teksa ndarjet në Bashkimin Evropian thellohen dhe pasiguria mbizotëron brenda NATO-s, Moska ka kthyer fokusin e saj në rajon edhe një herë. Stabiliteti i Ballkanit ka qenë temë e nxehtë në takimet e presidentit rus Vladimir Putin me Këshillin e Sigurimit të Kremlinit këtë vit.

Incidentet e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan kanë qenë në rritje, duke ngritur pyetjen në lidhje me atë nëse rajoni do të jetë teatri i ardhshëm në luftën e vazhdueshme të Moskës kundër fuqisë dhe unitetit perëndimor. Pas të gjitha, nxitja e tensioneve në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni, i ofrojnë qeverisë ruse mjet të përshtatshëm për të rritur ndikimin dhe për të shpërqendruar më tej Perëndimin”, theksohet në analizën e Stratfor.

Ndërkaq, duke u ndalur në krizën politike në Maqedoni dhe protestat kundër deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, Stratfor shkruan se Rusia po ushqen turbulencat duke pretenduar se Perëndimi po mbështet thirrjet për “themelimin e Shqipërisë së Madhe”.

Më tej në analizën e saj, Stratfor thekson se nëse marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të tensionoheshin tutje, atëherë Rusia do ta shfrytëzonte këtë për të “inxhinieruar” një krizë të plotë në të ardhmen.

Stratfor ka pohuar se jo të gjitha shtetet e Ballkanit kanë pranuar avancimin e Rusisë. “Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka punuar në mënyrë aktive për të mbajtur mediat ruse apo pro-ruse nga përhapja brenda kufijve të saj, sipas një burimi të Stratfor. Një vend mik anëtar i NATO-s, Shqipëria, po ashtu ka tentuar edhe t’i rezistojë ndikimit të Rusisë gjersa media e Kremlinit ka zgjeruar mbulimin e saj për të përfshirë edhe shërbimet në gjuhën shqipe”, thekson Stratfor.

Stratfort parashikon se fushatat e Rusisë, megjithatë, do të vazhdojnë. Ajo cilëson se duke “ngacmuar folenë e grerëzave”, do të mund të krijonte një sërë krizash që do të ishin shumë të thella për BE-në dhe NATO-n, kështu që Moska do të fitonte një kartë të re për të luajtur në negociatat e saj me Perëndimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button