Albanologu Demiri: S’e kuptoj pse s’luaj si shqiptar

Ertan Demiri që nga ndeshja me Bylisin është përzgjedhur kapiten i parë i të kuqve, çka lojtari e konsideron vlerësim. Ai pohon se kjo tregon se ekipi ka harmoni, e cila duhet përkthyer në rezultate për Partizanin. Mesfushori e quan absurd faktin se luan si i huaj, në një kohë që ka kombësi shqiptare, flet shqip dhe ka studiuar për Albanologji. Ertani kërkon që në Shkodër të kuqtë duhet të marrin trepikëshin dhe të thyejnë tabunë gati 21-vjeçare, duke qenë se për herë të fundit kanë fituar më 4 prill 1993. Sipas kapitenit, skuadra po kalon një moment të mirë, por nuk dëshiron të flasë për derbin, pa mbaruar punë me Vllazninë.

Pas tri barazimesh, Partizani arriti të fitonte ndaj Bylisit. A mendoni se nga këtu do të shikojmë një ekip në ngjitje?
Realisht na duhej fitorja me Bylisin dhe mund të konsiderohet si një moment i mirë për ekipin. Megjithatë kjo duhet shfrytëzuar nga të gjithë lojtarët, në mënyrë që në vazhdimësi të ruajmë dhe të pasurojmë ecurinë. Vërtet na mungonte suksesi, duke qenë se në tri ndeshjet e fundit kishim barazuar. Gjithsesi, pozitiv duhet konsideruar fakti se nuk kemi humbur në këto javë. Fitorja e fundit ndaj Bylisit nuk do të ketë asnjë vlerë, nëse ne nuk e pasojmë me një tjetër rezultat pozitiv në Shkodër. Pra, është momenti të tregohemi ekip, sepse po nuk treguam gjë ndaj Vllaznisë mbetemi në pozita të lëkundura. Të gjithë si pjesëtarë të skuadrës na del për detyrë që të “shtrëngojmë dhëmbët” dhe ta kalojmë me sukses transfertën e Shkodrës.

E dini që Partizani nuk fiton në Shkodër prej 21 vitesh?
Çdo histori apo situatë e ka një fund, kështu që na del për detyrë që të dielën ta thyejmë këtë tabu. Pra, të fitojmë në “Loro Boriçi”, dhe të gjithë bashkë të nisim një rrugë të re për Partizanin. Kjo skuadër duhet që në këtë fazë të fundit të kampionatit të marrë sa më shumë pikë dhe të realizojë objektivin, kështu që nga Shkodra presim vetëm fitore. Vllazninë e njohim mjaft mirë, pasi vetëm këtë vit jemi ndeshur “200 herë”. Zakonisht thuhet se ekipi duhet të japë 100% në çdo ndeshje, por ne duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë dhe çdokush që vesh fanellën dhe hyn në fushë duhet të japë dyfishin e mundësive. Lutem që ndaj Vllaznisë të kemi një gjykim korrekt, sepse në javët e fundit vendimet e dyshimta na janë kthyer në makth.

Pas ndeshjes me Bylisin ju jeni takuar me disa tifozë, ku pa dyshim kërkesa e tyre mbetet triumfi në derbin e javës së ardhshme. Do t’ua realizoni këtë dëshirë?
Pa dyshim që tifozët me të drejtë e kanë përjetuar keq humbjen e fundit, pasi ndaj Tiranës presin gjithmonë vetëm fitore. Mirëpo nuk mund të flasim tani për derbin, përderisa s’kemi mbaruar punë me Vllazninë. Fillimisht të kalojmë me sukses transfertën e Shkodrës ku, siç e thamë, na duhet të thyejmë një tabu 21- vjeçare, pastaj të mobilizohemi për derbin.

Ertan, ndaj Bylisit ju ishit kapiten i skuadrës. Mund të na sqaroni diçka rreth këtij vendimi se si kaloi shiriti nga portieri Hoxha te ju?
Personalisht jam ndierë i vlerësuar nga propozimi që bëri trajneri dhe nga mirëkuptimi i Albanit. Çdo gjë kaloi me qetësi dhe mirëkuptim. Pa dyshim ky akt tregon se te Partizani ka harmoni të brendshme, çka duhet vlerësuar nga të gjithë dhe shfrytëzuar në të mirë të klubit. Realisht e vlerësoj si proces, por pak rëndësi ka se kush është kapiten i ekipit. Partizani ka gjënë më kryesore: harmoninë. Prandaj, duhet ta përkthejmë në rezultate.

Nderim Nexhipi është një nga shokët tuaj më të vjetër dhe të mirë dhe duket se po del fjala juaj, që patët thënë se ai do t’i japë gjallëri dhe rezultat Partizanit…
E kam thënë që në fillim se Nderimin e kam si vëlla, pasi njihemi prej 20 vitesh. Për mua është lojtari më i mirë që kam pasur mundësi të kemi si shok skuadre. Për këtë arsye, isha i bindur se ai do të jepte shumë për Partizanin. Kjo që po shikoni, është vetëm fillimi. Në janar Nderimin e kërkonin disa ekipe në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Ai zgjodhi Partizanin si një klub me histori, si dhe për prezencën time në ekip. Më vjen mirë që është përshtatur shpejt dhe ndihet i lumtur këtu.

Ertan, ju jeni shqiptar që vini nga Maqedonia, por këtu konsideroheni si i huaj. Kur do ta merrni pasaportën shqiptare, për të cilën keni aplikuar prej kohësh?
Kjo që ndodh me mua dhe dy patriotët e mi që ndodhen te Partizani, Murati dhe Nexhipi, është absurde. Unë jam shqiptar, por konsiderohem i huaj. Gjyshërit e mi kanë qenë nga Shqipëria, ndërsa mua më ra fati të lindja në Maqedoni. Nëse e shikoni edhe pasaportën maqedonase, shkruhet: kombësia shqiptare. Por më e bukura është se edhe fakultetin e kam mbaruar për Albanologji. Mendoj se në këtë rast FSHF duhet të veprojë siç ka bërë me futbollistët nga Kosova, që nuk konsiderohen të huaj. Për sa i përket pasaportës nuk di çfarë të them, pasi kam aplikuar prej kohësh. Ndoshta, po të kisha aplikuar për pasaportë amerikane, do të isha pajisur më shpejt. Shpresoj që ky ngërç të zgjidhet me futbollistët shqiptarë që vijnë nga Maqedonia.

Burimi: www.panorama-sport.com

Lajme të ngjashme

Back to top button