Lëvizja BESA: Ulja shkëmbimit tregtar, dështim i qeverisjes BDI-VMRO

“Gjatë qeverisjes VMRO-BDI, përveç shumë dështimeve në sektorin ekonomik, edhe shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës ka shënuar rënie dhe dështim, gjithë kjo falë ministrave të Ekonomisë, të cilët rregullisht kanë qenë nga radhët e partisë shqiptare BDI”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.

Ata thonë se prej vitit 2011 deri më 2017 shkëmbimi tregtar ka shënuar rënie për 60%: më parë ka qenë rreth 650 milionë dollarë në vit, kurse në vitin e fundit ka rënë në 240 milionë dollarë.

“Kjo rënie vjen si pasojë e marrëdhënieve jo të fuqishme ekonomike mes dy shteteve, si pasojë e moskordinimit dhe moskëmbimit të informacioneve dhe legjislativit, por edhe nga mosdhënia rëndësi e lidhjeve rrugore dhe infrastrukrurore mes Kosovës dhe Maqedonisë. Siç e dimë, edhe pse Kosova i ka filluar punimet për lidhjet rrugore dhe infrastrukturore me Maqedoninë, nga ana e Maqedonisë një projekt i tillë ende nuk ka filluar konkretisht”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja Besa konsideron se qeverisja e deritanishme i ka sjellë dëm të madh ekonomik vendit dhe ka ndikuar në uljen e marrëdhënieve ekonomike edhe me vendet fqinje, sidomos me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Kjo për ne, përveç që shpreh qasje të gabuar ekonomike, që lë pasoja për bizneset, flet edhe për orientimin që ia kanë dhënë shtetit politikanët e dyshes VMRO-BDI. Si i tillë, ky veprim për neve është, në esencë, antishqiptar, por edhe kundër mirëqenies ekonomike të qytetarëve të të dyja vendeve. Me këtë rast Lëvizja BESA thekson se në plan afatshkurtër të veprimit ekonomik e ka ripërtëritjen e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën dhe shtetet e tjera fqinje, për ta ngritur kështu shkëmbimin tregtar mes vendeve, duke vlerësuar se kjo do të ndikojë edhe në ekonominë e Maqedonisë, por edhe të Kosovës”, përfundojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button