Luanët e Lirisë kthehen me medalje nga Bullgaria

Mundësit e klubit Liria nga Çairi nga dita në ditë po na bindin se janë në rrugë të mirë për të sunduar jo vetëm në arenën vendore, por dhe atë ndërkombëtare. Rezultate shumë të mira na vijnë nga mundësit e klubit më të trofeshëm të mundjes, të cilët në këtë fundjavë kanë garuar në një nga turnet më të fortë ndërkombëtare në Botë, e i cili është mbajtur në Gllabovo të Bullgarisë. 

Mundësit tanë të udhëhequr nga dy trajnerët e palodhshëm, Lulzim Vrenezi dhe Sufjan Ismaili kanë ardhur me këto suksese. Shaip Brava dhe Minir Rexhepi janë kurorëzuar me medalje të argjendë, duke u ngjitur të dytit në piedestal, ndërsa Halit Osmani është ndarë i kënaqur  me medalje bronzi dhe vendin e tretë.

Trajnerët Vrenezi dhe Ismaili janë shprehur shumë të kënaqur nga kjo e arritur duke thënë se së shpejti do të pasojnë dhe medalje të arta. “Të themi të vërtetën nuk i kemi pritur këto rezultate, duke marrë parasysh se konkurrenca ishte shumë e madhe. Por djemtë tanë që me zemër luani dhanë provimin para kampionatit evropian që i pret së shpejti, të dëshmojnë se janë në rrugë të mbarë të arrijnë medalje ari dhe se janë kundërshtar të denjë për të gjithë ata që do tu dalin përballë”.

Të përmendim se në këtë turne ndërkombëtare pjesëmarrës ka pasur nga shtetet e forta dhe me traditë në mundje, siç janë Rusia, Moldavia, Turqi, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Bullgaria, Ukraina, Turkmenistani. Gjithsej në këtë turne kishte mundës nga 35 shtete nga mbarë bota.  / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button