SHGM: Këshilli i Agjencisë së mediave politizon raportin vjetor

Këshilli i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele miratoi Raportin për punën e ASHMAA për vitin 2016, të përgatitur nga shërbimi profesional, ku në mënyrë objektive paraqitet puna e televizioneve nacionale gjatë vitit të kaluar. Në bazë të monitorimit të programit të televizioneve kombëtare, në raport konstatohet se në disa raste në TV Sitel dhe në emisionin e Milenko Nedellkovskit, i cili transmetohej në TV Kanal 5 është përdorur gjuhë e urrejtjes. Gjithashtu, në raport nënvizohet se ka pasur shkelje të vazhdueshme të standardeve profesionale nga ana e TV Alfa dhe TV Nova

Këshilli, ka sjellë një konkluzion të ri, i cili nuk bazohet në analizën e shërbimit profesional të Agjencisë, por në bindjen personale të anëtarëve: Llazo Petrushevski, Selver Ajdini, Milaim Fetai dhe Alma Mashoviq se TV Sitell, TV Nova, TV Allfa, TV Kanal 5, Telma, 24 Vesti dhe TV Shenja, kanë qenë të njëanshëm politikisht. Vlerësimet e kryetarit të Këshillit të Agjencisë Llazo Petrushevski i ka kundërshtuar Zoran Fidanovski, anëtar i Këshillit, i cili ka kërkuar që të refuzohet ky vlerësim.

“Ky qëndrim është i motivuar politikisht, dhe me të dëshirojnë të vendosin shenjë barazie mes mediave për të cilat në monitorim nuk janë konstatuar shkelje të standardeve profesionale gazetareske, me ata që kanë dhjetëra parashtresa për shkeljen e standardeve dhe për konstatim të gjuhës së urrejtjes”, deklaroi Zoran Fidanovski, në konferencën e djeshme të organizuar nga SHGM.

Fidanovski vlerësoi se Këshilli me këtë konkluzion devalvon punën e shërbimit profesional të Agjencisë dhe në mënyrë joobjektive e pasqyron punën e televizioneve kombëtare.

Ai dyshon se konkluzioni i tillë i Këshillit është sjellë me diktat politik të dikujt dhe është tërësisht në kundërshtim me misionin e Agjencisë.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani konkluzionin e Këshillit të ASHMAA e vlerësoi si të pashembullt dhe joprofesional, i cili konfirmon qëndrimet e Shoqatës se rregullatori mediatik është i politizuar dhe i partizuar.

“Ky është një tjetër argument se pse duhet të zgjidhen anëtarë të rinj në Këshillin e Agjencisë së mediave. Në Këshill duhet të marrin pjesë njerëz të pavarur, profesionistë dhe kompetentë, të cilët me të vërtetë do të kujdesen për krijimin e mediave të lira dhe profesionale, dhe jo të punojnë për shpëtimin e fytyrës së mediave joprofesionale”, tha Selmani.

Ai kërkoi nga Kuvendi i Maqedonisë që të mos e miratojë Raportin e punës së Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele për vitin 2016, për ta korrigjuar me qëllim që të fshihet kualifikimi i vendosur në mënyrë artificiale se të gjitha televizionet nacionale janë të njëanshme politikisht.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button