Nevoja për kreativitet

Asnjë seancë konstitutive parlamentare nuk ka qenë kaq tragji-komike si kjo që po e shohim të ndodhë ditëve të fundit në parlament.

Së pari, rifillimi i saj mori më shumë kohë se ç’zgjasin serialet turke. Me muaj të tërë pritëm që e njëjta të vazhdojë, pasi që kryetari i parlamentit nuk u zgjodh që në fillim, rrjedhimisht shumica parlamentare nuk u bë e dukshme, dhe të gjithë u humbëm në ujërat e kërkimit, dhënies, kthimit, kërkimit të sërishëm dhe fshehjes së… mandatit. Me muaj të tërë luajtëm kukafshehur me procesin e konsolidimit të trupit më të lartë ligjvënës në vend. Ne vërtet nuk jemi njerëz seriozë, edhe pse moti e kemi kaluar moshën e maturisë dhe jemi rreth 26 vjeçarë si shtet.

Së dyti, pasi më në fund vazhdoi seanca konstitutive parlamentare, filmi që po e shohim paprimtas nga serial turk u bë serial indian dhe rrezikon që të na zgjasë edhe 6 muaj të tjera dhe përsëri asgjë të mos ndodhë! Dhe ne përsëri i shikojmë përfaqësuesit tanë si qëndrojnë heroikisht dhe të pamposhtur në këtë betejë për të humbur sa më shumë kohë dhe për të zgjatur sa më shumë i gjithë ky proces. Kur për përbërjen e Komisionit për zgjedhje dhe emërime si dhe për kryetarin e tij janë paraqitur rreth 50 deputetë për fjalë, gati të gjithë nga VMRO-DPMNE, kur secili prej tyre i replikon kolegut të vetë nga e njëjta parti dhe po të njejtit i drejtohet me pyetje procedurale, në situateë kur pikërisht kjo parti përcaktoi edhe përbërjen edhe kryetarin e komisionit të lartëpërmendur, mund t’a paramendojmë sa do zgjasë diskutimi lidhur me kryetarin e parlamentit, si dhe të gjitha diskutimet tjera lidhur me ligjet e rëndësishme që duhet të sllen, ku hyn edhe Ligji për përdrimin e gjuhës shqipe!

Të qartësoj edhe një herë: ne ende jemi në proces zgjedhor. Tek ne zgjedhjet ende nuk kanë mbaruar, sepse ato mbarojnë me konstituimin e plotë të parlamentit, gjë që tek ne nuk ka ndodhur ende.

Ne me vite kemi qenë dhe që nga 11 Dhjetori e këndej, vazhdojmë të jemi peng i VMRO-DPMNE-së e cila shihet qartazi që nuk do të lejojë transfer të qetë dhe demokratik të pushtetit. Pas zgjedhjeve, kjo parti e sabotoi punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, duke protestuar çdo ditë para selisë së këtij komisioni dhe duke bërë presion të mos pranohen ankesat e ngritura lidhur me parregullsitë zgjedhore të cilat mund të kishin reflektuar tek numri i deputetëve dhe përbërja parlamentare. Me qëllim që të mos lejohet që kjo parti të problematizojë këtë çështje, KQZ nuk pranoi gati asnjë ankesë relevante dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Më pas, nuk u vendos të mblidhen 61 nënshkrime për të dëshmuar shumicën parlamentare që rradhën e parë, por u prit që megjithatë, mandati në mënyrë kundërkushtetuese t’i jepet të privilegjuarit, Nikolla Gruevskit, pa asnjë dëshmi se ka një shumicë të tillë parlamentare. As LSDM nuk insistoi që të mblidhen ato nënshkrime atëherë, e as partitë shqiptare nuk shprehën gatishmëri për të bërë një gjë të tillë. Si rezultat, humbëm një muaj e ca me biseda të kota të cilat dihej se ku do të përfundonin me gjithë pavendosmërinë e madhe që tregonte BDI: ato biseda qytetarët shqiptarë mot i kishin përfunduar, që me 11 Dhjetor dhe nuk kishin ndërmend t’i hapin përsëri me Gruevskin që përveç se duhet të përballet me akuza të rënda për kriminalitet, vazhdon edhe më tej të nxisë retorikë shoviniste në këtë vend. Sidoqoftë, qëllimin e kam të rikujtoj që nënshkrimet që do të dëshmonin shumicën parlamentare nuk u mblodhën deri me 9 Janar për të njëjtën arsye pse nuk u pranuan edhe ankesat në KQZ: të mos zemërohet VMRO dhe Gruevski, dhe të mos nxjerin njerëz në rrugë.

Epo qëllojani vetë: Gruevski megjithatë “u zemërua” dhe nxori njerëz në rrugë, vetëm ne mbetëm me frikën se mos e zemërojmë!

Dhe tani përsëri, gjithçka që ai kërkon realizohet: Ivanov nuk e jep mandatin, Komisioni për zgjedhje dhe emërime përbëhet pikërisht sipas dëshirës së Gruevskit i cili insistoi dhe fitoi edhe kryetarin e këtij komisioni dhe megjithatë VMRO-DPMNE diskuton me ditë të tëra përbërjen e po këtij komisioni dhe kryetarin e tij duke replikuar e kontrareplikuar me vetvehten.

Derik ur i gjithë shteti do t’i shërbejë me përkushtim tekave dhe qejfeve dhe kapriceve të Gruevskit dhe partisë së tij? A ju duket në rregull një gjë e tillë? Mua nuk me duket. Mua më duket sikur dikush na tëheq nga hunda dhe luan e tallet me ne me muaj të tëra. Në ndërkohë i njëtjti vazhdon të sabotojë punën e PSP, nuk paraqitet në bisedat informative ku është i ftuar, por shkon në Kongres në Maltë, dy ditë para se të fillojë kongresi (përmes Stambollit, ku e pret ambasadori i cili ka udhëtuar prej Ankarasë enkas për këtë, ndërsa mysafiri-Gruevski, i cili është vetëm një kryetar i thjeshtë partie, me vehte ka nëpunës të protokollit të qeverisë, edhe pse nuk udhëton krye-ministri por vetëm lideri i një partie!).

Shumica e kosoliduar parlamentare nuk mund të mbetet peng e pakicës, pa marë parasyshë frikën që kjo pakicë, që deri tash ka qenë në pushtet, e ka mbjellur tek qytetarët por edhe tek institucionet shtetërore. Frika nuk është opsion. Frika duhet tu lihet atyre që do të përballen me drejtësinë dhe me shkuarjen në burg. Frika nuk i zgjedh problemet dhe as nuk e konstituon parlamentin.

Qytetarët e tejkaluan frikën kur u përballën me policingë në protestat e viteve të kaluara dhe dolën fitimtarë. Qytetarët e tejkaluan frikën kur dolën në zgjedhje me 11 dhjetor dhe sollën këtë rezultat, që krijoi këtë shumicë parlamentare. Tani duhet që politikanët, përfaqësues të po atyre qytetarëve, ta tejkalojnë frikën e tyre personale dhe t’u japin fund tekave të Gruevskit dhe VMRO-së. Edhe durimi i njeriut më të durueshëm ka fund dhe përfundon në momentin kur i njëjti fillon të keqpërdoret hapur dhe ashpër. Demokracia dhe institucionet demokratike nuk janë krijuar që dikush të luajë me to dhe të krijojë mënyra sabotimi. Nëse ka kreativitet për të krijuar sabotime duhet pasur dyfish më tepër kreativitet për të evituar ato sabotime.

Nuk mund të lejohet që Kushtetuta dhe ligjet të vlejnë për dikë e për dikë të mos vlejnë. Të njëjtat ose do vlejnë për të gjithë ose nuk do vlejnë për asnjërin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button