Fytyra të njëjta dhe maska të reja

Do të shfaqen fytyrat e njëjta nën maskat e reja.

Do të përsëritin të njëjtët refrene.

E njëjta ditë do të përsëritet prore.

Disa ponc pilatë do të lajnë duart, ngjashëm si njëfarë Lady Makbeth.

Ndërgjegjja, megjithatë, nuk pastrohet nga uji.

Ata që kanë shpresë dhe besojnë me naivitet do të zhgënjehen.

Trajektorja e zhgënjimit do të zgjatet deri sa të këputet.

Deri në ardhjen e kësaj dite do të shohim filmin e njëjtë, të regjistruar me kamera të reja.

Do të vazhdojmë të jetojmë në një botë të gënjeshtërt.

Zgjatimet politike e mediale do të na krijojnë një perceptim të ri.

Liderët, që duhet të zbresin nga pajtoni i politikës, sërish do t’i kenë në duar dizgjinat e pushtetit.

Do të hiqen si heronj dhe do flasin për “ideale”.

“Idealet vlejnë vetëm për t’u pasuruar”, thotë gjeniu i dëshpëruar.

Bota e politikës ka shpërfytyruar shumë princa.

Ata që humbin fytyrën, kërkojnë maska të reja.

Në skenë do të shfaqen sërish e sërish edhe disa kinse “fraksionistë”, që i kanë gëzuar privilegjet e botës.

Kjo shfaqje mund të jetë tragjike ose groteske.

Gjasat më të mëdha janë që të jetë parodi.

Ne që shkruajmë do të vazhdojmë t’i riformulojmë mendimet apo kritikat e njëjta.

Koha jonë nuk është kronologjike.

Koha jonë është ciklike.

Koha jonë është mitike.

Do të vazhdojmë, kështu, t’i komentojmë ngjarjet efemere, që harrohen shpejt si lajme të cilët i vjetëron dita e nesërme.

Në ekrane do të shfaqen sërish herostratë, kroesusë, cerberë, kreontë, hamletë, gaztorë, jagua e sa e sa personazhë të tjerë të reinkarnuar.

Do të jetojmë në shoqëri të ngulfatur nga kiçi kulturor e politik.

Do të jetojmë në shoqëri të frikësuar nga dija.

Do të jetojmë në shoqëri ku stimulohet trivialiteti e luftohet kreativiteti.

Shumica e njerëzve do të kërkojnë t’u falet buka e përditshme.

Kërkesat e tyre janë reduktuar në kërkesa ekzistenciale.

Janë njerëzit e vegjël që i paguajnë çmimet e mëdha.

Të rinjtë do të hedhin shikimin drejt horizontit të largët.

Do të mendojnë më shumë për ikjen.

Bota e tyre është ngulfatur nga rëndomësia, kotësia, gjuha e drunjtë, e varfër, topitëse për mendjen njerëzore.

Dhe kështu do të na harxhohen edhe disa vite nga jeta e çmuar, e rënduar me emra princash, që e këndojnë të njëjtën këngë monotone, ashtu siç i ka detyruar padroni…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button