Shtëpitë e pleqve, shumë pak i hasim në komunat shqiptare

Në komunat të banuara kryesisht me shqiptarë mund të vërehet dukshëm mungesa e shtëpive për pleq, edhe ato që janë nuk kanë kushte adekuate për kujdesin e duhur të personave të moshuar shkruan Portalb.mk. Shqiptarët janë të paktë nëpër këto lloj shtëpish, pasi që kjo dukuri, për lënien e pleqve në institucione përkatëse është e papranueshme te shoqëria jonë.

Në Maqedoni funksionojnë gjithësej 25 shtëpi të pleqve, nga të cilat 20 në Shkup, dy në Manastir dhe në Negotinë, Kumanovë dhe Prilep nga një.

Qytetarët thonë për Portalb.mk, se asnjëherë nuk do të linin prindërit apo gjyshërit e tyre nëpër këto shtëpi.

“Asnjëherë nuk e kisha lën as prindërit e as gjyshërit aty. Kam gjyshin e vjetër dhe të sëmurë, por të gjithë kujdesemi për atë, nuk e lëmë në dorë të të huajve, sepse ne kujdesemi më mirë, ne e kemi familje. Nuk e di kam dëgjuar se nëpër këto institucione nuk i trajnojnë mirë personat e moshuar”, tha Ridvan Halimi, banor.

“Jo, nuk i kisha lënë prindërit aty. Po të kishte qenë privat me kushte tejet të mira ndoshta po, por prap shtëpia shtëpi, mendoj që personat e moshuar duhet të jenë pranë familjes e jo të vetmuar nëpër institucione”, tha Qamil Ajredini, banor.

Sociologia, Arta Osmani për Portalb.mk thotë se lënia e personave të moshuar nëpër shtëpitë institucionale është e papranueshme për shumicën e shqiptarëve.

“Interesimi është tejet i vogël që shqiptarët t’i dërgojnë prindërit e tyre apo edhe familjarët e moshuar nëpër këto institucione. Ata preferojnë që vetë të kujdesën për ata. Kjo dukuri vërehet shumë shpesh te shoqëria shqiptare, prandaj edhe mund të lidhet ajo se në komunat ku jetojnë më shumë shqiptarë ka mungesë të këtyre shtëpive, pasi që interesimi është ose tejet i vogël ose nuk ka fare interesim. Kjo mund të lidhet edhe me mënyrën e jetesës, ku shoqëria shqiptare jeton më e bashkuar në rreth familjar sesa shoqëritë tjera. Përderisa tek popujt tjerë rrallë mund të gjesh raste kur personat e martuar që kanë krijuar familjen e vetë, të jetojnë ende me prindërit e tyre, kurse te ne kjo gjë është shumë e shpeshtë madje është edhe shumë normale jetesa në situata të këtilla”, tha për Portalb, Osmani.

Sipas të dhënave statistikore, në Maqedoni jetojnë 382.980 persona të moshës mbi 60 vjeçare. Prej tyre, aktualisht nëpër Shtëpitë e pleqve janë të akomoduar vetëm 1.642 persona ose thënë ndryshe 0.43%, në nivel vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button