Me bllokadat institucionale, VMRO-DPMNE e rrit nacionalizmin

Pas aktit të bashkëpartiakut të Nikolla Gruevskit, presidentit Gjorge Ivanov, që ta bllokojë procesin e formimit të Qeverisë me mosdhënie të mandatit dhe bllokimit të rrugëve nga ana e protestuesve “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët udhëhiqen nga njerëz të eksponuar të VMRO-DPMNE-së, ditët e fundit edhe deputetët e po të së njëjtës parti e kanë filluar bllokadën me “uzurpim” të foltores në shtëpinë legjislative për të zvarritur zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, shkruan Portalb.mk.

Bllokadat e vazhdueshme me qëllim të parandalimit të formimit të Qeverisë, gjegjësisht rrëzimit të Gruevskit nga pushteti, duke e marrë si alibi Platformën Shqiptare dhe pretenimet e VMRO-DPMNE-së se “Maqedonia po shkon drejt federalizimit”, te përkrahësit e VMRO-së vazhdimisht ka rritur nacionalizmin, pastaj edhe vetë anëtarët e Akademisë e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë shprehën qëndrim të ngjashëm me partinë në fjalë. Si pasojë, në periudhën e kaluar jo-rrallë herë patëm mundësi të shohim se si janë shkarravitur tabelat udhërrëfyese në gjuhën shqipe, si janë sulmuar fizikisht të rinjtë, si janë sulmuar gazetarë, si është bërtitur nëpër protesta për “Maqedoni të pastër” dhe “dhoma gazi për shqiptarët e mallkuar”, si është sulmuar disa herë Shtëpia e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe së fundmi dje, në Ohër është thyer tabela në gjuhën shqipe në objektin e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Njohësit e çështjeve sociale dhe politike, vlerësojnë se “fushata” kundër të drejtave të shqiptarëve paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj entitetit shqiptarë dhe për pasojë të së cilës duhet të rezultojë sanksionim si nga organet kompetente gjyqësore, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Publicisti Azam Dauti tërë këto zhvillime të deritanishme ku përdoren brohoritjet dhe pankartat me nxitje të urrejtjes etnike i sheh si vegël e Nikolla Gruevskit dhe për këto, si edhe për shumë raste të tjera kriminale, ai duhet të ballafaqohet me gjyqësinë.

“Brohoritjet, pankartat bizare janë vepra të dënueshme me ligj për nxitje të urrejtjes dhe padurueshmërisë etnike. Domethënë, përpos akuzave të tjera nga përgjimet, Gruevski do të duhet të ballafaqohet me gjyqësinë edhe për këtë ksenofobi të tij”, tha për Portalb, Dauti.

Ai gjithashtu thotë se BDI-ja në kabinetin qeveritar, duhet qartë t’ia bëj me dije Gruevskit, që strukturat e saja në polici, do të reagojnë në mënyrë profesionale ndaj të gjithë atyre që rrahin nxënës në mënyrë të organizuar dhe nxitin urrejtje.

Sociologun Ali Pajaziti, tërë kjo situatë e kujton në vitet e 80, 90-ta kur, siç thotë ai, shovinizmi ishte shndërruar në kulturë të popullatës duke i marrë thelbin e multikulturalizmit shteteve të atëhershme.

“Gjendja në Maqedoni është goxha e tensionuar si rezultat i shfaqjes së serishme të kuçedrës së etno-nacionalizmit me përmasa raciste e fashizoide. Kjo situatë të kujton vitet ’80 dhe ’90 kur shovinizmi u shndërrua në kulturë të masave, në veçanti te serbët, që pastaj ia mori shpirtin një shteti multikulturor e multietnik. Ligjërata e shfrytëzuar, pankartat, grafitet dhe këngët e kënduara janë atak direkt ndaj tjetrit, shqiptareve, të cilët përmbahen jashtëzakonisht mirë deri tani, duke mos rënë pre e ideologjisë mesjetare, kleronacionaliste”, tha Pajaziti.

Ai gjithashtu vlerëson për Portalb, se “është koha për ndërhyrje politike të jashtme, ndërkombëtare, që të pengohet skenari i përgatitur në kuzhinat e sherrit pansllavist”.

Ndryshe, pas dështimit të bisedimeve për koalicionim mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, aktet e dhunës në bazë nacionale dhe të fjalimeve me gjuhë të urrejtjes janë rritur. Për këtë të fundit kanë bërë thirrje edhe nga faktori ndërkombëtarë që “të mos luhet me zjarr”. Për rastet e dhunës, MPB ka ngritur padi penale kunër një sulmuesi të gazetarëve të “A1on” dhe katër të rinjve të cilët dyshohet se kanë hedhur koktej molotovi ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir.

LEXO: Maqedoni: Kriza politike thellon ndasitë në shoqëri

LEXO: Incidentet, tentimet e fundit të dëshpëruara të VMRO-së, kujdes nga provokimet

LEXO: Vazhdon dhuna në Shkup

LEXO: Gazeta Di Cajt: Gruevski nuk dorëheqet nga sistemi prej gangsteri

LEXO: Gruevski: Paralajmëroj – mund të mbetemi pa shtet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button