Këshilla për të jetuar më mirë në çift

Gjetja e një mënyre për të mos u zënë është dëshira e shumë çifteve dhe sidomos e femrave. Edhe pse mund ta pranojmë mes shoqesh, gjithmonë jemi ne ato që fillojmë debatet: Nuk ke hedhur plehrat; nuk kujtohesh kurrë për asgjë; është e pamundur t’i bëj të gjitha unë, etj. A ju sjellin ndër mend diçka këto kritika? Janë fraza me të cilat 90 për qind e femrave fillojnë grindjet, duke prishur harmoninë e çiftit dhe ndonjëherë edhe kohëzgjatjen e lidhjes.

Si t’i shmangni këto situata? Përgjigjja ideale është se nëse partneri do të kundërshtonte më pak, për ju nuk do të ishte aspak e nevojshme të debatonit. Por në realitet nuk ndodh kështu. Ndoshta jeni pak tolerante. Nuk mund të mendohet që partneri apo i fejuari të mund ta shohë botën me të njëjtën mënyrë si ju. Të jetuarit bashkë është e gjitha një çështje e ndërmjetësimi. Është një “punë” e lodhshme për të dyja palët, por komunikimi do të çonte në një kuptim më të thjeshtë të kërkesave tuaja.

Të folurit me delikatesë

Grindjet më të këqija lindin nga frazat e thëna me tendencë. Ju gjithnjë duhet të kontrolloni tonin e zërit. Është e natyrshme të ndiesh nevojën e pakontrollueshme për të ulëritur, por në këtë mënyrë jo vetëm që nuk arrin t’i shpjegosh tjetrit gjërat që nuk funksionojnë, por ato përkeqësohen. Partneri nuk është një fëmijë që duhet qortuar, por në të njëjtën kohë nuk duhet të “shkëmbejë” bashkëshorten me nënën. Kjo është një “lojë” delikate dhe e ndërlikuar rolesh. Kështu që bëni gjithmonë kujdes dhe mos iu referoni kurrë familjes së tij gjatë grindjeve dhe në të njëjtën kohë jini më të vetëdijshme se jeta juaj në çift duhet të bazohet mbi dinamika të tjera, të ndryshme nga ato që ishit mësuar ndoshta më parë.

Bëni një listë prioritetesh

Bashkëjetesa është një lloj kompromisi. Duke u nisur nga ky presupozim, dijeni se te disa gjëra do të jeni të detyruar të hiqni dorë. Duhet të bëni një listë prioritetesh. Fiksoni pesë gjëra të cilat nuk i duroni dot fare dhe pesë të tjera që iu bezdisin, por që me kalimin e kohës edhe mund t’i pranoni. Nuk është aq e thjeshtë, por është një gjë shumë e rëndësishme. Nuk mund ta kaloni të gjithë kohën duke u zënë për gjithçka sepse kështu do të rrezikoni që ta “helmoni” jetën tuaj. Duhet të mendoni se dhe ju nuk jeni e përsosur. Edhe partneri juaj sigurisht ka shumë gjëra që nuk pëlqen te ju. Ndaj “puna” është e dyfishtë, sepse duhet të mësoni, por edhe të “korrigjoni”.

Përdorni komunikimin joverbal

Pasi fjalët mbarojnë, ka një mënyrë tjetër për të komunikuar. Çiftet të cilat jetojnë bashkë e dinë mirë se në një marrëdhënie ka shumë nivele të kuptuarish. Por nëse i keni provuar të gjitha ne ju këshillojmë ligjin e shpagimit. Në çfarë konsiston. Është shumë e thjeshtë. Ai nuk e vë asnjëherë letrën higjienike, por është mësuar gjithmonë që ta gjejë në vendin e vet. Kështu që, kur ta ketë ai radhën për ta ndryshuar letrën higjienike atëherë ju “harrojeni” ta vendosni atë. Ndërkohë një rast tjetër janë rrobat që ai hedh vend e pavend, sepse e di që do të jeni ju ajo e cila do t’i çoni në vendin e duhur. Po për këtë mund të bëni sikur harroni? Gjëra të vogla që nuk duhet të kthehen as në dënim e as në mëri, por vetëm në disa truke apo shaka për ta bërë atë të kuptojë, pa grindje, se sa e rëndësishme është për t’i dhënë njëri-tjetrit një dorë. Të gjitha këto janë disa këshilla të thjeshta për të jetuar pak më të lumtur.

Lajme të ngjashme

Back to top button