Mbahet referendumi në Krime

Po mbahet në Krime referendum vendimtar, që do të përcaktojë nëse gadishulli do të mbetet pjesë e Ukrainës apo do t’i bashkohet Rusisë.

SHBA, BE dhe Ukraina e konsiderojnë si të paligjshme këtë votë, duke paralajmëruar Moskën për sanksione të rënda nëse do të miratojë aneksimin.

Megjithatë, Kremlini mbron si legjitim këtë referendum, me pretendimin se banorët e Krimesë kanë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre, në kushtet kur qeveria e ligjshme e Ukrainës u rrëzua nga një grusht shteti i opozitës, së përfaqësuar gjerësisht nga neonazistët.

Sipas Rusisë, e cila ka premtuar që do të njohë rezultatet e referendumit dhe do të bëjë pjesë të sajën Krimenë nëse shumica do të vendosë për bashkimin, kjo lëvizje synon vetëm të mbrojë jetën dhe pronat e shtetasve rusë, nga represioni i Kievit zyrtar.

Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë pranuar të marrin pjesë në këto zgjedhje, në të cilat pritet gjerësisht që të votohet me shumicë pro bashkimit me Rusinë.

Krimea përbëhet nga 58% rusë etnikë, 25% ukrainas dhe 12% tatarë, pakicë etnike muslimane që mbështet qëndrimin në Ukrainë.

Megjithatë, tatarët kanë shpallur bojkotin e këtyre zgjedhjeve.

Ditën e shtunë, Rusia vendosi veton ndaj një rezolute të OKB-së që synonte të bllokonte votimet në Krime.

Kina, e konsideruar si një aleate e fshehtë e Rusisë abstenoi.

Nëse Krimea do t’i bashkohet Federatës Ruse, e hëna pritet të sjellë një numër sanksionesh politike dhe ekonomike të perëndimit ndaj Moskës.

Lajme të ngjashme

Back to top button