Bllokada në Kuvend, të sanksionohet VMRO-DPMNE nga bashkësia ndërkombëtare

Rikthimi i punës së seancës konstituive parlamentare, për formim të Komisionit dhe zgjedhje të kryetarit të Parlamentit, e cila u ndërpre dje pa ndonjë vendim nga shkaku i replikave dhe kundër-replikave ndërmjet deputetëve të VMRO-DPMNE-së, paraqet edhe në shenjë se partia e Nikolla Gruevskit, bllokadën e formimit të Qeverisë, krahas në rrugë, e zgjeron edhe në institucione, dhe se për tërë këto obstruksione institucionale pasojë mund të ketë jo vetëm Maqedonia, por edhe tërë rajoni, andaj për këtë duhet të ketë ndërhyrje sanksionuese nga ana e faktorit të jashtëm. Kështu vlerësojnë për Portalb.mk profesori universitar, Mersel Bilalli dhe gazetari, Xhelal Neziri.

“Kjo mënyrë e zhvillimit të ngjarjeve tregon se ata që ushtrojnë bllokadë institucionale nuk kanë interes për Maqedoninë, dhe jo rastësisht e sollën atë në këtë gjendje ku është sot, është e rrugës që blloku që pretendon të formojë qeveri reformuese të demonstrojë fuqi. Zgjatja e seancës konstituive është një instrument që mund të keqpërdoret dhe është duke u keqpërdorur. Unë mendoj t’i animojmë faktorët e brendshëm nga faktori ndërkombëtar që të mos bëhen obstruksione në formimin e qeverisë së re”, thotë Bilalli.

Bilalli nënvizon se në këtë pikëpamje kemi dy segmente të cilat mund ta zgjidhin tërë këtë situatë, “e para ka të bëjë me faktorin e jashtëm i cili duhet të animohet dhe e dyta ndërlidhet me formën paqësore të opsionit të ri qeveritar i cili dëshiron reforma dhe ndryshime me qëllim të një Qeverie reformuese. Prandaj në skenarin e dytë duhet një demonstrim i fuqisë i cili do të ndikonte në mënyrë psikologjike tek ata që ushtrojnë obstruksione”.

Gazetari Neziri vlerëson se përpjekja e VMRO-DPMNE-së që ta bind opinionin se nëse nuk është në opozitë nuk do të mund të funksionojnë institucionet, është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda për të gjithë qytetarët e Maqedonisë por edhe rajonin në përgjithësi.

“VMRO-DPMNE duket se politikën e bllokadës së shtetit e zgjeron edhe në institucione. Përveç protestave në rrugë, kjo parti do të tentojë të pamundësojë funksionimin e institucioneve edhe nëpërmjet bllokadave që ia lejojnë rregulloret dhe ligjet, por që janë destruktive. Me këtë strategji, tenton të bindë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se institucionet shtetërore nuk do të mund të funksionojnë nëse kjo parti do të ngelej në opozitë. Është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda për të gjithë qytetarët. Me një opozitë jonkonstruktive siç po profilohet VMRO-DPMNE, qeveria e re nuk do të mund të zbatojë as reforma e as nuk do të mund ta nxjerrë vendin nga kriza. Në rast se provokohet situata në Maqedoni, atëherë ajo paraqet një rrezik për tërë rajonin, e pse jo edhe për BE-në”, thotë Neziri.

Ai vlerëson se, Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar mund të zbatojnë sanksionet mbi të gjithë ata politikanë që pengojnë zgjidhjen institucionale të krizës duke nxitur tensionime të mëtejme të situatës.

Përndryshe, dje, pas tre muajve rifilloi seanca konstituive, e cila zgjati mbi pesë orë. Që në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokuan foltoren e Kuvendit, duke u paraqitur të gjithë për të folur, ndërkaq më pas ndaj njëri tjetrit kanë vazhduar me replika  dhe kundër-replika.

Oliver Spasovski nga LSDM reagoi në mënyrë procedurale pasi që në atë mënyrë po kryhet obstruksion në seancë. Udhëheqësi i seancës, Trajko Veljanovski, tha se rregullorja e ndalon replikimin dhe kundër-replikimin mes të njëjtëve anëtarë të një grupi të deputetëve, por duke e pasur parasysh se ende nuk janë formuar grupet e deputetëve, deputetët kanë të drejtë për replikë dhe kundër-replikë.

Kjo mënyrë e bllokadës së VMRO-DPMNE-së, do të zvarriste zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe të kreut të Kuvendit, deri më 5-6 muaj.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ne spitalin e Tetoves veçanerisht reparti per transfuziologji : po se pershendete ne Maqedonisht apo i tha dicka ne Shqip, ata as qe te sherbejne , bile bule behen agresiv….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button